Qeveria shqiptare ka shpenzuar rreth 100 milionë euro për një impiant të trajtimit të ujërave të ndotur i cili sot nuk ekziston. Ujërat urbane të kryeqytetit, ku sipas INSTAT-it jetojnë rreth 912 mijë banorë, vazhdojnë të derdhën në lumenj pa asnjë trajtim duke shndërruar Lumin e Tiranës dhe atë Lanës ndër zonat më të ndotura të vendit edhe sipas raporteve të institucioneve shtetërore.
Impianti i Kasharit, punimet e të cilit nisën 10 vite të shkuara, jo vetëm që nuk përfundoi kurrë por dhe ajo pjesë e investuar po shkon drejtë degradimit, duke hedhur në “lumë” një investim prej 79 milionë euro.
Dokumentet tregojnë se institucionet shqiptare u përfshinë në “konflikt” me kompaninë që u përzgjodh në 2014 të ndërtojë Impiantin e Ujërave të Ndotura të Tiranës, çka u pasua me ndërprerjen e njëanshme e kontratës në maj të vitit 2018.
Kompania u detyrua të braktisë punimet dhe të kërkojë të drejtën e saj në gjykatën e Arbitrazhit duke kërkuar si dëmshpërblim 90 milionë euro nga shteti shqiptar.
Institucionet e përfshira në këtë aferë ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës ndërkohë që sot Tirana është në prag të një katastrofe ekologjike dhe në buxhetin e shtetit kemi një kosto të shtuar në një vlerë prej 13.5 milionë euro për shkak të humbjen së çështjes në gjykatën e Arbitrazhit.
Impianti që nuk ekziston
Në faqen zyrtare të drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve njoftohet se “është duke u ndërtuar një Impiant për Trajtimin e Ujërave të Ndotura Urbane të cilat mblidhen në Lumin e Lanës, pasi deri më tani shkarkimet janë bërë drejtpërdrejtë pa bërë trajtimin e tyre”.
Njoftimi saktëson vendndodhjen e këtij impianti, në Kashar, si dhe metodën e trajtimit të ujërave, që është ajo e Filtrit me Pikim (Trickling Filter).
“Nga ky projekt do të përfitojnë 350 mijë banorë të Tiranës. Besoj se ky impiant vjen në një moment kur, pas përmbytjeve, të gjithë jemi bërë më të ndjeshëm ndaj infrastrukturës së trashëguar,” do të deklaronte në janar të 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, teksa inspektonte nisjen e punimeve për ndërtimin e impiantit së bashku me ish-ministrin e Transporteve, Edmond Haxhinasto.
Aktualisht, ajo që do të ishte investimi më i rëndësishëm i kryeqytetit nuk është gjë tjetër veçse një ngrehinë ndërtimi i rrethuar nga ferrat dhe ujërat e ndotur.
Çka gjen në impiantin e Kasharit është një “roje” që nuk di asgjë më shumë veç faktit që “është e ndaluar të futesh në kantier”.
Punimet për ndërtimin e impiantin nisën 11 vjet më parë, pasi në janar 2014, Drejtoria e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime, sot Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, nënshkroi kontratën me shoqërinë, “Joint Venture Dondi & Kubota”, një bashkim i dy kompanive të njohura në fushën e ndërtimit të impianteve, sidomos në Itali dhe tjetra për tubacionet dhe valvulat me origjinë Japoninë.
Kompania merrte përsipër përfundimin e impiantit që do të shërbente për përpunimin e ujarëve të ndotura urbane, brenda nja afati 4-vjeçar, ndërkohë që kosto totale e të gjitha punimeve ishte 79 milionë euro. Financimi ishte garantuar nga një kredi e butë që do të lëvrohej me këste nga JICA (Banka Japoneze) dhe qeveria shqiptare.
Sipas marrëveshjes, kredia do të shlyhej me këste, çdo 20 qeshor dhe çdo 20 dhjetor, duke filluar në vitin 2018 deri në vitin 2048.
Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se kompania me të nisur punën ka pasur një sërë konfliktesh me institucionet shqiptare, që nga lëvrimi me vonesë i fondeve dhe deri tek pretendimet për kushtet teknike dhe cilësinë e punimeve.
Gjithçka nis nga një shkresë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ku udhëzon AKUK-në që të kryejë një kontroll në kantierin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotur.
Aso kohe, në janar të 2018 punimet shkonin vaj dhe një sërë kronikash të kohës, zyrtarë të lartë të shtetit shqiptarë krenoheshin për investimin që do të shpëtonte Tiranën nga ndotja.
Përplasjet midis Ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjisë, AKUKM-së dhe kompanive janë reflektuar në një mori shkresash zyrtare, raportesh periodike e mbledhjesh në kantierë.
Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që aso kohe drejtohej nga Damin Gjiknuri nuk ndalet me kaq. Një grup pune nga ky institucion ushtron një audit tek kantieri i punimeve të impiantit. Auditi del në konkluzionin që kompania “Donti & Kubota” nuk kishte respektuar disa kushte të kontratës.
Ky raport do të shfrytëzohet nga Ministria për t’i kërkuar insitucionit vartës prishjen e kontratës së ndërtimit të impiantit, edhe pse raportet tregojnë se 70% e punimeve për ndërtimin e tij ishin kryer. Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve, më 31 maj të 2018, me një shkresë me nr prot 1225/11 njofton kompaninë “Donti & Kubota” për ndërprerjen e kontratës.
Fill pas kësaj shkrese kompania ndërpret punimet ndërsa përgjegjësia e vetme që mbajnë institucionet shqiptare është marrja e masave për ruajtjen e objektit.
“Në bazë të dokumentacionit të përgatitur nga supervizioni, gjatë periudhës pas terminimit të kontratës së punimeve, AKUK-ja ka marrë masa të nevojshme për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e veprave të ndërtuara, me qëllim konservimin e tyre në gjendjen e terminimit të kontratës” – thuhet në reagimin që “shteg.org” mori nga AKUK.
Por, në Raportin e auditimit të KLSH-së të tetor 2019, theksohet qartazi se nxitimi për të nxjerrë kontraktorin nga kantieri ka bërë që të mos kryen punimet si izolimi i betoneve dhe i hekurit, mbyllja dhe taposja e pusetave, sistemimi i zonave me rrezikshmëri rrëshqitjeje, mbyllja e puseve të mikrotunelit, etj.
“Strukturat janë në mëshirë të kushteve atmosferike, ujit, baltës, diellit dhe bimësisë. Për më tepër gjatë kësaj periudhe nuk u kryen dhe shërbimet mirëmbajtëse si pastrimi i kanaleve, mirëmbajtja e rrjetit të drenazhimit, ndezja e pompave për ruajtjen e punimeve të rrjetit të kanalizimeve të kryera, etj” – thuhet në raportin e KLSH-së, ku ndër të tjera shtohet se dhe punimet e mikrotunelit, duke qenë të pa lidhura, ekziston mundësia që pusetat të lëvizin duke humbur kuotën dhe të dalin jashtë përdorimit.
Raporti i KLSH-së parashtron edhe rrezikun e shkatërrimit total të punimeve të kryera të impiantit.
“Rreziku i kësaj situate, duke qenë se punimet konservuese nuk janë kryer ekziston mundësia që punimet e kryera deri më tani të amortizohen plotësisht” – thekson raporti.
Vendimet që shkatërruan impiantin
Përplasjet midis Ministrisë së Infrastrukturë dhe Energjisë, AKUKM-së dhe kompanive kontraktuese të ndërtimit të impiantit janë evidentuar edhe nga Kontrolli i Lartë të Shtetit.
Dokumentet tregojnë se ky institucion ka konstatuar një realitet krejt të kundërt me atë që pretendon Ministrisa e Infrastrukturës dhe e Energjetikës e cila “urdhëroi” ndërprerjen e kontratës me kompaninë që po kryente punimet për ndërtimin e impiantit.
Sikurse pranohet zyrtarisht nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe AKUK në momentin që vendoset ndërprerja e kontratës ishin kryer 70% e punimeve të cilat mbartnin vlerën e 59-të milion eurove.
Sipas shkresave, Ministria pretendon se kompania nuk kishte respektuar disa kushte të kontratës, ndërsa KLSH-ja thotë se nga kompania kontraktore nuk janë shkelur pikat për të cilat MEI i ka evidentuar si të mjaftueshme për prishjen e kontratës.
“Akti i ndërprerjes së kontratës dhe arsyet e justifikimit nuk qëndrojnë dhe ishin në kundërshtim me kushtet e kontratës. “Joint Venture Dondi & Kubota” i kishte plotësuar të gjitha kushtet kontratuale, ndryshe nga ç’pretendohej. Kompania nuk kishte shfaqur probleme në ngritjen e kantierit, duke respektuar kushtet teknike dhe cilësinë e punimeve si edhe kishte punuar me disa nënkontrator në përputhje të plotë me standardin e kontratave FIDIC-së” – thuhet në raport.
Gjithashtu një shkelje tjetër e raportuar nga KLSH-ja është edhe dërgimi me dy muaj vonesë i shkresës që Ministria i ka dërguar Bankës Japoneze për ndërprerjen e punimeve.
“MIE-ja i çon shkresë mbi dy muaj më vonë, në muajin nëntor, për miratim, pasi kontratori ishte larguar nga kantieri në mënyrë arbitrare dhe miratimi nuk do të kishte më asnjë vlerë juridike” – thekson KLSH-ja.
Duke konstatuar shkelje të njëpasnjëshme nga ana e MIE dhe AKUK-së, KLSH-ja u rekomandon institucioneve shqiptare të gjejnë gjuhën e përbashkët me kompaninë kontraktore, pasi rrezikonin si dënimin në arbitrazh, ashtu edhe ndërprerjen e punimeve.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të bëjë të pa mundurën që të gjejë gjuhën e bashkëpunimit me Kontraktorin për t’i kërkuar tërheqjen e tij nga çështje që ka hapur në këtë gjykatë, dhe njëkohësisht në këmbim, t’i kërkojë Kontraktorit të rilidhë kontratën për vazhdimin e zbatimit të punimeve” – rekomandon KLSH-ja në vitin 2019.
Rekomandimet nuk merren në konsideratë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës dhe për pasojë vepra jo vetëm nuk është përfunduar, por janë vënë në pikëpyetje 56 milionë euro investim.
Humbja e paralajmëruar në arbitrazh
Në nëntor të vitit 2018 kompania “Joint Venture Donti & Kubota” iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve në Londër duke kërkuar një dëmshpërblim prej 90 milionë euro nga shteti shqiptar.
Kompania pretendonte se kjo ishte vlera e dëmeve të shkaktuara kryesisht nga humbja e punimeve të kryera, vonesat e pagesave dhe likuidimi i TVSH-së sa i përket prishjes së kontratës për impiantin e Kasharit.
Më Gjykatën e Arbitrazhit shteti shqiptar u gjet përgjegjës për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme dhe u detyrua të dëmshpërblejë kompanitë kontraktore “Donti & Kubota” me 13.5 milionë euro.
Vendimi është marrë nga kjo gjykatë më 26 Korrik 2024 dhe konfirmohet për “shteg.org” edhe Avokatura e Shtetit, por nuk jep informacion të detajuar mbi procesin gjyqësor pasi sipas tyre “të dhënat përbëjnë sekret”.
Humbjen e procesit në gjykatën ndërkombëtare e kishte paralajmëruar edhe nga Kontrolli i Lartë i shtetit, por megjithatë shqetësimet e ngritura institucionet nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e pasojave ekonomike.
Në vitin 2019 i rekomandon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të marrë masat e menjëhershme si për të rilidhur kontratën që e ndërprenë në mënyrë të njëanshme ashtu edhe arritjen e një marrëveshje që çështja të mos shkonte në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi rreziku për humbjen e këtij gjyqi ishte i lartë.
“Me qëllim, shmangien e dëmit ekonomik që mund t’i shkaktohet buxhetit të shtetit i llogaritur afërsisht rreth 90 milion Euro, në rast të humbjes së gjyqit në gjykatën e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë Londër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të bëjë të pa mundurën që të gjejë gjuhën e bashkëpunimit me Kontraktorin”, për t’i kërkuar tërheqjen e tij nga çështje që ka hapur në këtë gjykatë, dhe njëkohësisht në këmbim, t’i kërkojë Kontraktorit të rilidhë kontratën për vazhdimin e zbatimit të punimeve” – thuhet në konkluzionet e raportit të KLSH-së.
Ujërat e ndotur vërshojnë në Tiranë
Sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, niveli i ndotjes së ujërave në Lumin e Tiranës dhe lumin e Lanës është shqetësues. Në stacionin e Ura e Kamzës dhe në stacionin L2 (ish-dogana) të Lumit të Lanës, që ndodhen pas kolektorëve të ujërave të patrajtuara të Tiranës, janë regjistruar përqendrime të larta të ndotësve – konkretisht 52 mg/l dhe 138 mg/l.
Ekspertët e mjedisit ia atribuojnë këtë ndotje të madhe të lumit që përshkon Tiranën, derdhjes së ujërave urbane të patrajtuara. Përbërësit e matur dhe për të cilët ekspertët vënë alarmin janë mungesa e oksigjenit, fosforit, nitritet dhe amoniaku.
Aleko Miho, profesor i Botanikës dhe ekspert i mjedisit në Universitetin e Tiranës, thotë për “shteg.org” se kur ujërat e zeza nuk mblidhen dhe trajtohen siç duhet, ato kthehen në burime të rëndësishme ndotjeje për ujërat sipërfaqësore, ujërat nëntokësore, si dhe për ujin e pijshëm. Ai thekson se këto shkarkime janë burim infeksioni dhe sëmundjesh për ekosistemet ujore dhe për njeriun.
Sipas Mihos kjo situatë është krijuar nga menaxhimi i pamjaftueshëm i mbetjeve urbane nga bashkitë, si dhe nga ndotja që vjen nga shkarkimet e ujërave të ndotura dhe mbetjeve industriale, të ndërtimit, urbanizmit, infrastrukturës turistike, rrugëve dhe minierave.
“Sfida më e madhe për Shqipërinë është trajtimi i ujërave urbane në pellgjet e lumit Ishëm dhe Erzen, rajone ku jetojnë mbi 1 milion banorë – thotë Miho.
“Njerëzit bien në kontakt me ujë të papastër, sidomos ujë të pijshëm dhe jo të sigurt, mund të pësojnë infeksione bakteriale që çojnë deri në vdekje. Sëmundjet bakteriale më të rëndësishme që transmetohen përmes ujit janë kolera, ethet tifoide (nga salmonellat) dhe dizenteria bacilare (nga shigellat) dhe diarre akute dhe shqetësime të stomakut (nga koliformët fekalë)” – thotë Aleko Miho.
Sipas një hulumtimi të Ina Medias qeveria shqiptare ka investuar mbi 112 milionë euro për ndërtimin e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura. Edhe pse numërohen 16 impiante të trajtimit të ujërave të ndotura, vetëm 10% e popullsisë e merr këtë shërbim, ndërsa ujërat e zeza dhe industriale vijojnë të shkarkohen në lumenj e dete, duke krijuar dëme të pallogaritshme për mjedisin dhe shëndetin e popullatës. / Ajla Starja / Dallandyshe Xhaferri / Sabina Nika /shteg.org /