28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore

Konviktet fantazmë, si po abuzojnë bashkitë edhe me bukën e fëmijëve

Konviktet e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme kanë mbetur pa nxënës, por bashkitë harxhojnë miliona lekë për ushqimin e tyre. Të dhënat e grumbulluara nga INA Media dëshmojnë se në Përmet shuma e parave, që shpenzohet për një numër të kufizuar nxënësish, do të mjaftonte për t’i ushqyer ata tri vakte në ndonjërin prej restoranteve më të mira të Tiranës. Në Elbasan shpenzohet shumë më shumë nga sa janë nevojat, kurse në Librazhd mendojnë se fëmijëve nuk iu nevojiten ushqime të tilla si mishi dhe buka.

Autorë: Emirjon Senja, Julian Hoxhaj dhe Sidorela Xhomaqi- Ina Media

Një godinë dykatëshe, e lyer nga jashtë, në fund të një rruge, ku nuk kupton, nëse je në asfalt apo në kalldrëm, është ai që njihet si konvikti i gjimnazit “Sami Frashëri” i qytetit të Përmetit. Këtu qëndrojnë nxënësit e ardhur nga fshatrat e bashkisë, në pamundësi për t’u kthyer brenda ditës në shtëpi.

Nën komandat ushtarake, “Para marsh! Gatitu!”, të edukatores së kopshtit në katin e parë të godinës, teksa urdhëron të vegjlit, nisur nga kushedi se çfarë alterteksti, futemi në derën e hapur të konviktit, ku “Mirë se erdhët!” thonë disa mobilie të viteve ’80, të lëna në anë të korridorit, ndërkohë që brenda nuk pipëtin askush.

Hyrja e konviktit të gjimnazit “Sami Frashëri” në Përmet

Majtas shihet një tabelë me bojë vaji, që shënon “Kuzhina”, që na intrigon. Mënyra se si ishin stivuar disa nga tavolinat, të bëjnë të kuptosh se nuk ishin përdorur kohët e fundit (shih foton).

Në sfond, përmes një xhami katror, ku duket sporteli i një bar-bufeje të periudhës së komunizmit, shquajmë katër zonja të kuzhinës.

Në katin e dytë të godinës gjendet drejtoria, zyra e përgjegjëses, salla e studimit, kjo e fundit jashtë funksionit, si dhe tri dhoma fjetjeje. Vetëm në njërën prej dhomave ishin disa palë atlete vajzash. Punonjësja e konviktit thotë se në atë dhomë jetonin disa vajza, por hezitoi të na e tregonte numrin.

Në krahun e majtë të konviktit janë dhomat e djemve dhe lavanderia. Siç shihet nga imazhet e marra nga INA Media në vjeshtën e vitit 2023, dhomat janë bosh dhe lavanderia, jashtë funksionit.

“Dhomat janë rikonstruktuar dhe i kemi në gatishmëri”, – u shpreh punonjësja e konviktit, duke hezituar t`i përgjigjet për të disatën herë pyetjes se sa është numri i nxënësve që qëndrojnë në këtë institucion akomodues në funksion të shkollës së mesme “Sami Frashëri”.

Nga verifikimet konstatojmë vetëm dy dhoma funksionale në konvikt, ndërkohë që jozyrtarisht na thuhet se aty qëndrojnë 10 nxënës gjithsej, por nga burime të tjera mësojmë se numri është të paktën sa gjysma e deklaruar.

Lavanderia jashtë funksionit e konviktit të gjimnazit “Sami Frashëri” në Përmet

INA Media ka zbuluar përmes dokumenteve zyrtare se Bashkia e Përmetit, përveçse harxhon 5 milionë lekë për ushqime, që pretendohet se i hanë 4 nxënës, mëngjes-drekë-darkë, dhe një grusht fëmijësh kopshti, vetëm drekë, paguan edhe 14 persona si të punësuar në këto institucione.

Pra, ky institucion ka 7 punonjës dhe harxhon 2.9 milionë lekë për të blerë ushqime për katër nxënësit që ka.

32 fëmijë pinë 7 tonë qumësht në Përmet

Në të njëjtën godinë me konviktin ndodhet edhe një kopsht dhe një çerdhe me drekë me 23 fëmijë gjithsej.

Tenderët e ushqimeve janë zhvilluar përmes një morie pikëpyetjesh në vitin 2021 dhe në vitin 2022 në Përmet, por ato shtohen në vitin 2023, pasi është dyfishuar sasia e një pjese të mirë të artikujve.

Dyshimet i ngre fakti se është dyfishuar sasia e qumështit, që konsumojnë të vegjlit.

Faksimile e dokumenteve standarde të tenderit me numër REF-56602-01-23-2023 për blerje ushqimesh, organizuar nga Bashkia e Përmetit; aksesuar nga INA Media në shtator 2023

Në vitin 2023 Bashkia e Përmetit ka prokuruar plot 7.182 litra qumësht; 662 kg mish nga rreth 380 kg në vitin 2022 apo 305 kg në vitin 2021 etj.

Ndryshe nga nxënësit në konvikt, të cilët hanë tri vakte, fëmijët e kopshtit nuk i konsumojnë të tria vaktet aty.

Ndërkohë që ulet numri i fëmijëve, të cilëve iu duhej shërbyer, Bashkia e Përmetit e dyfishoi fondin e tenderit të ushqimeve në vitin elektoral 2023. Kjo bashki shpenzoi rreth 24 mijë euro në vitin 2022, por në janar të vitit 2023 Bashkia e Përmetit shpalli tenderin për blerje ushqimesh për konviktin, për kopshtin dhe për çerdhen me një fond limit rreth 50 mijë euro.

Grafik i një grupi ushqimesh të blera nga Bashkia e Përmetit për konviktin e gjimnazit “Sami Frashëri”. Vërehet një rritje e fortë e blerjeve gjatë vitit 2023,  vit elektoral.

Pas 10 ditësh u shpall fituese e “preferuara e përhershme”, kompania “GERTI-1987”, me ofertën prej rreth 48 mijë eurosh.

INA Media konstatoi se kjo kompani rezulton fituese e tenderëve të ngjashëm edhe në vitet e mëparshme, të gjithë me flamur të kuq, për shkak të problemeve me konkurrencën.

Bashkia e Përmetit nuk iu përgjigj pyetjeve të INA Media-s mbi shkaqet që çuan në dyfishimin e fondit limit për ushqimet në vitin 2023.

Screenshot nga faqja Open Procurement Albania e tenderit të ushqimeve të Bashkisë së Përmetit, i cilësuar me flamur të kuq për shkak të mungesës së konkurrencës

Për të përllogaritur kuotën ushqimore, ditore dhe vlerën e saj, monetare për një nxënës konvikti në arsimin parauniversitar, qeveria shqiptare ka miratuar VKM Nr. 666/2019, që përcakton sasinë e nevojshme ushqimore për të marrë kaloritë e duhura.

Sipas kësaj VKM-je, një nxënës i moshës nga 14 deri në 18 vjeç duhet të marrë rreth 2.712 kalori në ditë, duke përfshirë konsumin e ushqimeve kryesore si: buka, makaronat, orizi, sheqeri, fasulet, perimet, frutat, vaji, gjalpi, qumështi, vezët, patatet, mishi, reçeli etj.

Kostoja ditore për kaq kalori për një nxënës është 215.5 lekë.

Në një muaj, pra në 30 ditë kalendarike pa hequr pushimet e fundjavës dhe festat zyrtare, kjo shumë llogaritet në rreth 6.400 lekë.

Vendim i Këshillit Bashkiak, Përmet për caktimin e kuotave ushqimore për fëmijët në kopshte dhe në çerdhe

Në 12 muaj, pa hequr festat zyrtare, pushimet e verës, duke supozuar se një nxënës do të ushqehet 365 ditë të vitit në konvikt, kostoja e ushqimit është 77.580 lekë.

Për katër nxënës, siç zyrtarisht raportohet se janë në konviktin e Bashkisë së Përmetit, kostoja e ushqimit do të duhej të shkonte në rreth 310 mijë lekë, por në fakt vlera e tenderit të ushqimeve, e llogaritur vetëm për konviktin, shkon në rreth 2.9 milionë lekë.

Nëse llogarisim se rreth 100 ditë në vit janë pushime zyrtare dhe festa, atëherë kuptohet se ka një diferencë të madhe mes shumës që është harxhuar dhe asaj që duhej harxhuar.

Gjithashtu, nxënësit në konvikt veç ushqimit të tenderuar nga bashkia, që supozohet se do të duhet të konsumonin tri vakte në mensën e fjetores, trajtohen përkatësisht me bursë ushqimore në vlerën e rreth 7.000 lekëve në muaj, referuar VKM-së së qeverisë.

INA Media siguroi të dhëna zyrtare në nisje të këtij hulumtimi, se Bashkia e Përmetit për vitin 2023 në kopshtin dhe në çerdhen me drekë, që ndodhet në të njëjtën godinë me konviktin, iu shërben 32 fëmijëve. Duke iu referuar treguesve të VKM-së së mëposhtme, llogarisim koston e tyre të ushqimit, që shkon në rreth 2.4 milionë lekë ose pak më pak se vlera që bashkia raporton zyrtarisht se duhet për të siguruar ushqimin vjetor të fëmijëve.

Por, Bashkia e Përmetit ka prokuruar rreth 5.3 milionë lekë ushqime në vitin 2023 për nxënësit në konvikt dhe në kopsht.

Faksimile e VKM që përcakton kuotat ushqimore për nxënësit e konvikteve në arsimin parauniversitar

Rrjedhimisht, diferenca prej 2.9 milionë lekësh i përket (!) pjesës së ushqimit për katër nxënësit e konviktit!

Nëse vërtet kjo shumë do të harxhohej për të ushqyer për nëntë muaj 4 nxënësit e konviktit të shkollës “Sami Frashëri” në Përmet, do të mjaftonte që të tria vaktet të porositeshin në ndonjë restorant të mirë në Tiranë.

Mensa e konviktit të gjimnazit “Sami Frashëri” në Përmet

INA Media iu drejtua Bashkisë së Përmetit me një kërkesë për informacion, duke e pyetur edhe në lidhje me tenderët e ushqimeve, por nuk morëm asnjë përgjigje deri në publikimin e këtij materiali.

Godinë e rrënuar dhe tender i çuditshëm në Kolonjë

Konvikti në Ersekë duket se ka dekada pa u rikonstruktuar, por tenderët për ushqimet e nxënësve, që pretendohet se qëndrojnë aty, vijojnë normalisht dhe fitohen me oferta thuajse të njëjta me fondin limit.

INA Media e vizitoi këtë konvikt në shtator të vitit 2023, duke u “mirëpritur” nga një derë, që mbahet e mbyllur me kyç. Madje, për t`u siguruar që në godinën, që duket krejtësisht e rrënuar, të mos futet askush, administratorët i kanë vendosur portës së jashtme edhe një litar.

Në oborrin e saj, që duhet të ishte një vend kreativ për nxënësit gjatë kohës së lirë, gjenden inerte, barëra të papastruara, mbetje hekuri etj. Edhe porta kryesore e konviktit duket se nuk ka asnjë lidhje me derën e një institucioni, brenda të cilit jetojnë fëmijë.

Godina e konviktit të gjimnazit në Ersekë

Për vitin 2023 Bashkia e Kolonjës ka tenderuar 1.6 milionë lekë të reja, të ndara në 6 lote, për blerjen e ushqimeve për konviktin. Ndarja në shumë lote e tenderëve të ushqimeve konsiderohet një praktikë klasike për t’iu hapur rrugën abuzimeve.

Në të gjashtë lotet fituesi i vetëm është subjekti “Refie Lifo”, që ka marrë tenderët për blerjen e të gjitha sasive ushqimore për nxënësit e këtij konvikti.

Porta e gjimnazit të konviktit të Ersekës

Bashkia e Kolonjës i tha INA Media-s se për momentin në çerdhe trajtohen me ushqim 19 fëmijë, kurse në konviktin e shkollës për vitin shkollor 2023-2024 janë 11 nxënës, të cilëve iu është miratuar kuota ushqimore.

Screenshot nga faqja Open Procurement Albania e tenderit të ushqimeve të Vaut të Dejës, i cilësuar me flamur të kuq për shkak të mungesës së konkurrencës

Në tenderin e ushqimit bashkia ka prokuruar 1.6 milionë lekë, që janë dhënë pothuajse me vlerën e fondit limit.

Por, ndryshe nga rastet e tjera, ku bashkitë, pavarësisht shkeljeve, kanë përcaktuar sasinë e ushqimeve, që do të blejnë, ashtu siç parashikohet nga ligji, Bashkia e Kolonjës nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me sasinë e qumështit; mishit; bukës; makaronave apo miellit, që presupozohet se ka blerë nga zonja Refie Lifo kundrejt 1.6 milionë lekëve.

Tenderë me flamuj të kuq, Elbasani prokuron shumë, Librazhdi i trajton fëmijët si vegjetarianë

Janë një grusht kompanish, ato që marrin tenderët e ushqimeve për konviktet, për kopshtet dhe për çerdhet në një numër të madh bashkish.

INA Media konsultoi dokumentacionin e dhjetëra prokurimeve të kryera nga këto bashki, duke konstatuar problematika të mëdha sa i përket konkurrencës në tenderë, si edhe ndarjes në shumë lote. Kjo bën që kompanitë e mëdha të mos jenë të prira të marrin pjesë në procedura, veprim që ia lë të hapur rrugën klientelizmit dhe abuzimeve të operatorëve lokalë në bashkëpunim me drejtuesit e bashkive.

 

Bashkia e Elbasanit është një ndër njësitë që shpenzon shuma të mëdha sa i përket blerjes së ushqimeve. INA Media mësoi përmes një kërkese për informacion se kjo bashki trajton 466 fëmijë, nga të cilët 413 janë në kopshte dhe në çerdhe, kurse 33 janë në konviktin “Ymer Tola”.

Bashkia shpjegoi se ka një kosto mesatare, ditore prej 222.3 lekësh për ushqimin, ndërkohë që së fundmi është shpallur një tender me fond limit 54 milionë lekë. Kjo është një shumë rreth 8 milionë lekë më e madhe nga fondi limit, që do të duhej të ishte, nëse përllogaritej numri i nxënësve me koston mesatare, ditore, të përcaktuar me VKM, e cila aplikohet edhe nga Bashkia e Elbasanit.

Me herët Elbasani ka qenë objekt i një skandali të madh sa i përket tenderëve të ushqimeve, ku rezultoi se institucionet publike kanë financuar personazhe me lidhje kriminale përmes prokurimeve.

Një fenomen i ngjashëm me Elbasanin sa i përket prokurimit të sasive të mëdha të ushqimit, duke tejkaluar disa herë nevojat, vërehet edhe në Pogradec. Kjo bashki prokuroi rreth 80 mijë euro ushqime në gusht të vitit 2023 për një periudhë 12-mujore.

Bashkia i tha INA Media-s se trajton 65 fëmijë në kopshte dhe në çerdhe. Nëse marrim në konsideratë VKM-në për kuotat ushqimore, për një numër të tillë nxënësish do të nevojiteshin rreth 12 mijë euro në vit, ndërkohë që është prokuruar një shumë gati 7 herë më e madhe.

Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor, thotë se, kur gjithçka është e matshme dhe sasia e kalorive, që duhet të konsumojnë fëmijët, është e caktuar me VKM, nuk ka se si bashkia të prokurojë më shumë nga sa nevojitet.

“Kjo është e pafalshme dhe duhet të jetë objekt i hetimeve”, – thotë Haxhimali.

Sipas të dhënave të siguruara nga INA Media, në Gramsh është prokuruar tri herë më shumë nga sa është e nevojshme, në Kolonjë, dy herë më shumë, ndërkohë që në Librazhd vërehen mungesa të produkteve të nevojshme në listën e ushqimeve të blera, siç është buka dhe mishi.

Në vitin 2020 Bashkia e Vaut të Dejës prokuroi rreth 6.5 milionë lekë të reja tender për blerje të artikujve ushqimorë për konviktin e shkollës “Ndre Mjeda” dhe për qendrën sociale “Besa”.

Në fakt, ky është dhe tenderi më i paprecedent, për shkak se në vitin 2020 Shqipëria ishte në karantinë të plotë dhe i gjithë viti arsimor u zhvillua online deri në verën e vitit 2021.

Bashkia e Librazhdit harxhoi 5.9 milionë lekë për të blerë ushqime për fëmijët në shkurt të vitit 2023, por “harroi” të blinte bukë dhe mish. Bashkia nuk iu përgjigj një kërkese për informacion deri në momentin e publikimit të këtij materiali.

Marrja e tenderëve të ushqimeve me 98-99% të fondit limit është një fenomen normal në bashkitë e vendit. Çdo ofertë mbi 90% konsiderohet si jonormale në aspektin e konkurrencës.

Siç konstaton INA Media, rezulton se të gjitha lotet (6) e tenderit të Bashkisë së Kolonjës për blerje ushqimesh, perimesh, frutash etj., i ka fituar zonja Refie Lifo, e cila, duke qenë ofertuese e vetme, ka dhënë 99.3% të fondit limit.

Edhe tenderët e Bashkisë së Dibrës për blerje ushqimesh; fruta-perimesh apo bulmeti, po ashtu janë fituar me 98-99% të fondit limit, duke patur mungesë të theksuar konkurrence.

Çudia ndodh në Lushnjë, një zonë që njihet për prodhimin e perimeve, të frutave, si dhe të bulmetit, por çuditërisht në tenderin e vitit 2021 për këto produkte ka dhënë ofertë vetëm një subjekt, duke i rënë “në kokë” fondit limit. Rezulton se kompania Sinani Trading e ka fituar këtë tender me 99.8% të fondit limit.

E njëjta situatë paraqitet edhe në bashki të tjera. Në Pukë tenderi i ushqimeve është fituar me 99% të fondit limit, në Fushë Arrëz, thuajse me 100%, në Shkodër po ashtu, gati 100%, kurse në Lezhë, me 98%.

Bashkia Tenderi % e fondit limit
Kolonjë Blerje ushqime, viti 2023 99.3%
Shkodër Blerje ushqime, viti 2023 99.9%
Dibër Blerje ushqime, viti 2022 99%
Fushë Arrëz Blerje ushqime, kopshte, çerdhe, 2023 100%
Pogradec Kuotë ushqimore, çerdhe dhe kopësht, 2023 93%
Krujë Blerje ushqimesh me origjinë shtazore, 2023 100 %
Përmet Loti I – Blerje ushqime me origjinë jo shtazore, viti 2022 98%

Tabelë krahasimore e tenderëve për ushqime, të fituar me ofertë pranë fondit limit, organizuar nga disa bashki në vend

Zyrtarët nuk kanë frikë nga ligji 

Mungesa e konkurrencës është problemi kryesor që haset në këta tenderë, krahas copëzimit dhe ndarjes në lote me qëllim uljen e fondit limit, për të shmangur përmbushjen e disa detyrimeve të tjera, ligjore gjatë prokurimit.

 “Zakonisht duhet të merret parasysh kohëzgjatja e tenderit, sasia e mallit që nevojitet, si dhe të ketë një studim tregu. Ky i fundit bëhet, duke marrë në konsideratë një listë të çmimeve të mallrave nga INSTAT. Shohim që këto kritere shkelen hapur nga autoritetet, kur llogarisin fondin limit, që marrin dy-tri oferta nga operatorë, që janë paracaktuar si fitues dhe më pas shpallin tenderin me një fond limit, që nuk i përgjigjet realitetit të tregut”, – thotë Ola Xama, autore e shumë investigimeve në fushën e tenderëve.

Eksperti i pushtetit lokal, Agron Haxhimali, i lidh abuzimet me tenderët e bashkive në përgjithësi dhe ato të ushqimeve në veçanti me faktin se zyrtarët lokalë ndihen të paprekshëm prej institucioneve të kontrollit, pasi në pushtetin qendror ka qenë e njëjta forcë politike, ashtu si edhe në pushtetin lokal.

“Është vrarë frika nga agjencitë ligjzbatuese dhe gjithçka në këtë drejtim ka nisur që në vitin 2019, nga ku kemi patur një pushtet të unifikuar qendror-lokal”, – thotë Haxhimali.

“Ka patur një frymë të afinitetit politik, që çfarëdo që bëjmë, jemi pjesë e një familjeje dhe kjo ka krijuar probleme në drejtim të zbatimit të ligjeve sa i përket prokurimeve”, – argumenton më tej Agron Haxhimali.

Për avokatin Alban Duraj paracaktimi i fituesit, si dhe kostot gjatë proceseve gjyqësore i kanë bërë kompanitë që të mos jenë të interesuara që të marrin pjesë në këto procedura. Rrjedhimisht, në sistem qarkullojnë vetëm ato kompani, që në njëfarë mënyrë janë paracaktuar si fituese, duke rritur kostot për buxhetet e bashkive, por edhe duke ofruar cilësi më të ulët.

“Vitet e fundit vërehet një zvarritje e trajtimit nga gjykatat të ankesave të kompanive mbi procedura të caktuara prokurimi. Vërtitja nëpër gjykata ka bërë që bizneset të lodhen dhe, për të shmangur mundin dhe shpenzimet, nuk futen fare në procedura prokurimi, ku duket se është paracaktuar fituesi. Të paktën kjo është eksperienca ime gjatë përfaqësimit të disa kompanive për problematika të ngjashme në Gjykatën Administrative”, – shprehet ai.

Xama rendit edhe një “hile” tjetër me tenderët e organizuar nga bashkitë.

“Bëhet ndarja e fondit limit në disa lote me qëllim uljen e vlerës totale të prokurimit dhe nxjerrjen e këtyre tenderëve jashtë procedurave normale, duke iu lehtësuar rrugën abuzimeve, – shpjegon ajo.

Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *