Çdo individ që hedh, gropos, djeg, braktis, depoziton apo asgjëson mbetje të formë të pakontrolluar do të gjobitet”. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka propozuar ndryshime në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, duke shtuar për herë të parë edhe termin “individ” për shkelje ligjore që kryhen në drejtim të mbetjeve.
Projektiligji i nxjerrë për konsultim publik parashikon rritjen e masës së gjobave për kundravajtjet administrative për menaxhimin e integruar të mbetjeve me 30% të vlerës së gjobës. Për qytetarët të gjitha vperimet që bien në kundërshtim me parashikimet ligjore për hedhjen, groposjen, djegien, braktisjen apo asgjësimin e pakontrolluar do të dënohen me gjoba nga 65 000 – 130 000 lekë. Për subjektet, këto masa administrative do të jenë 10 – fish më të larta, duke variuar nga 650 000 deri në 1 300 000 lekë.
Paralelisht, sikurse është parashikuar në disa drafte të nxjerrë për konsultim publik së fundmi, që lidhen me shkeljet për ndotjen që shkaktohet në mjedis, edhe në këtë rast gjoba do të përbëjë titull ekzekutiv, ku me përfundimin e shqyrtimit të ankimit administrativ do ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e saj. Kjo masë synon të anashkalojë procedurat e ankimimit në gjykatë, duke rritur vjeljen e tyre.
Në relacionin shoqërues, ministria e argumenton përfshirjen e qytetarëve me kërkesën për angazhimin e gjithësecilit për sigurimin e menaxhimit të integruar të mbetjeve dhe eleminimin e keqmenaxhimit të tyre.