Përveç shfuqizimit të tatimit 15 për qind për bizneset e profesioneve të lira, në vendimin e një ditë më parë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar edhe vet nocionin e profesioneve të lira. Më saktësisht, përvec pikës dh të nenit 69 të ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dhe nenin 4 të VKM-së me numër 753. Ky është neni, përmes të cilit qeveria shpalli listën analitike, të atyre bizneseve që do të quheshin profesione të lira dhe që do të hynin në taksim nga 1 janari 2024.
“Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash: Pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, të ligjit nr. 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM-së nr. 753/2023,” thuhet në vendimin e Gjykatës.
Neni 4 i Vendimit 753 të Këshillit të Ministrave, klasifikonte rreth 116 aktivitete si profesione të lira, praktikisht të gjithë gamën e bizneseve duke lënë jashtë vetëm një rreth të ngushtë si zejtarët apo tregtarët e vegjël. Kjo ndarje tashmë është rrëzuar dhe të gjitha bizneset e vogla duhet të trajtohen njësoj, të paktën nga ana fiskale. Pra nuk mund të ketë ndarje brenda tyre, ku disa kategori taksohen me 15 apo 23 për qind dhe të tjera qëndrojnë më taksën zero.
Lista analitike e profesioneve te lira
Janë rreth 29 mijë profesionistë të lirë që preken nga ky ligj. Një pjesë e tyre kanë paguar këstet, të cilat u përllogaritën në bazë të fitimeve të vitit 2023, duke shkaktuar dhe debate të shumta, pasi qeveria nuk njohu shpenzimet e zbritshme prej 30%, të cilat më pas u rishikuan.