29 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Abuzimi me çmimet bëhet dhe nga kompanitë e BE/ Ciko publikon studimin: Produktet shiten 79.7% më shtrenjtë në Shqipëri

Abuzimi me çmimet e produkteve nuk bëhet vetëm nga subjektet shqiptare, por edhe nga kompanitë e BE në vendin tonë. Këtë tregoi studimi i zhvilluar nga profesori i Ekonomisë, Ilir Ciko, i cili rezultoi se tre kompani europiane i shesin produktet e tyre në Shqipëri rreth 79.7% më shtrenjtë seç i tregtojnë në vendet e tyre pra në BE.

Në një intervistë për WakeUp, Ciko është shprehur se kjo ndodh pa asnjë arsye por si abuzim. Profesori më tej u shpreh se nga 150 produkte që kishte marrë në studim që shiten nga të njëjtat kompani edhe në BE edhe në Shqipëri, rezultoi se abuzimi arrinte në rritje çmimi deri në 147% për produkt, siç ishinkonfleksat për fëmijët.

Pra, një konfleks shitej 147% më shtrenjtë në vendin tonë krahasur me çmimin që kishte në marketet e BE, duke deformuar kështu tregun dhe duke shtuar barrën e shpenzimeve të shqiptarëve.

“Studimi i referohet aktivitetit të kompanive europiane të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre këtu në Shqipëri dhe tregtojnë produktet e tyre këtu në Shqiupëri, sikurse i shesin këto produkte edhe në vende të tjera të Europës edhe të rajonit. Në thelb, studimi bën thjesht krahasimin, sa është çmimi i shitjes së produkteve të këtyre kompanive në Shqipëri krahasuar me çmimin që të njëjtat kompani shesin të njëjtat produkte në vendet ku ato kanë origjinën e tyre. Rezultatet janë paksa befasuese për të gjithë. E them befasuese sepse përpara se të masnim ndryshimet e çmimeve. Unë mblodha çmimet e 150 produkteve të cilat tregtohen nga 3 kompani Europiane në tregun shqiptar, i krahasova me çmimet e të njëjtave produkte që të njëjtat kompani i tregtojnë në nga ato vijnë, pra nga BE. Dhe mesatarja e diferencës mes këtyre çmimeve të Shqipërisë me ato të BE, është 79.7%. Pra rreth 80% më të larta në tregun e Shqipërisë. Nga 150 produktet që janë përzgjedhur varionin nga rreth 24% që ishte vlera më e ulët, krahasuar me produktin në marketet e BE, është 147% produkti që ka vlerën më të lartë. Dhe ky produkt ishte një nga ata që merren për mëngjes që merren me qumësht, konflekset që shiteshin më shtrenjtë këtu” – u shpreh profesor Ilir Ciko.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *