28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Risi në tregun financiar/ Të huajt po blejnë borxhin e brendshëm të qeverisë shqiptare

Qeveria mori 24.7 miliarde leke borxh në tregun e brendshëm gjatë tremujorit të dytë. Por ndonëse operacionet e huamarrjes qeveritare në tregun e brendshëm janë një fenomen i zakonshëm, këtë herë ankandet shënuan një risi. Për herë të parë, letrat me vlerë të qeverisë shqiptare po blihen nga të huajt.

Të dhënat zyrtare nga ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit, të huajt blenë 6 miliardëe lekë ose 60 milionë euro borxh të qeverisë shqiptare. Kapitali ka mësuar se mes blerësve është dhe një bankë e madhe amerikane.

Hyrja e të huajve në blerjen e titujve qeveritarë të borxhit që emetohen për tregun e brendshëm është një ngjarje e rëndësishme për tregun financiar. Ajo tregon rritjen e besimit të institucioneve të huaja fianciare tek ekonomia shqiptare dhe financat publike.

Borxhi në rënie
Zhvillimet në huamarrjen e qeverisë së bashku me vlerat e suficitit fiskal të kësaj periudhe u faktorizuan në teprica të larta likuiditeti. Borxhi publik u vlerësua në rreth 56.8% të PBB-së në fund të gjysmës së parë të vitit 2024, duke u reduktuar me rreth 2.1 pikë përqindje nga niveli i shënuar në fund të vitit 2023.

Por, rënia e mëtejshme e këtij raporti lidhet më së shumti me mbiçmimin e lekut në raport me euron, monedhë në të cilën është marrë shumica e borxhit të jashtëm, me rritjen ekonomike dhe një pozicionim më të mirë fiskal të vendit tonë, gjatë gjysmës së parë të vitit.

Rënia e shpejtë e borxhit gjatë tre viteve të fundit, nga gati 80 për qind e PBB-së që ishte, në 56 për qind aktualisht bëri që Standard and Poors të përmirësojë notën e borxhit publik të Shqipërisë nga B+ në BB-. Kjo me sa duket ka nxitur interesin e të huajve për të investuar në letrat me vlerë të qeverisë shqiptare.

Raporti i borxhit të brendshëm ndaj totalit të borxhit arriti në 56.3% në fund të tremujorit të dytë, nga 54.4% që ishte në fund të vitit 2023.

Rritja e nivelit të borxhit të brendshëm erdhi si pasojë e shtimit të huamarrjes në tregun vendase, ndërkohë që shlyerjet e borxhit të huaj kanë qenë të një intensiteti më të lartë, sesa disbursimet e huave të huaja përgjatë kësaj periudhe.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *