21 Shkurt, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

2025 nis mbarë/ 12% pasagjerë më shumë fluturuan nga Rinasi në muajin e parë të vitit

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës e nisi vitin 2025 me rritje të mëtejshme të numrit të pasagjerëve, pas mbylljes së një viti rekordesh në 2024, me një total prej 10.7 milionë pasagjerë.

Referuar shifrave zyrtare të TIA, në janar 2025, aeroporti u përdor nga rreth 700 mijë pasagjerë, me një rritje prej 12%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këtë vit, drejtuesit e aeroportit kanë vendosur një tjetër objektiv ambicioz, arritjen e shifrës së 12 milionë pasagjerëve dhe paralelisht kanë prezantuar një plan investimesh për zgjerimin e pistës së aeroportit, terminaleve, parkingut dhe rritjen e mëtejshme të digjitalizimit, për të krijuar më shumë lehtësi për udhëtarët dhe për të minimizuar rradhët dhe kohët e qëndrimit.

Londra mbetet destinacioni i preferuar i shqiptarëve edhe për këtë fillim viti. Mbi 59 mijë qytetarë udhëtuan nga dhe drejt kryeqytetit të Mbreterisë së Bashkuar në janar 2025. Ndërsa destinacionet që shënuan rritjen më të madhe të numrit të pasagjerëve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë Shtutgarti, Budapesti e Madridi.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njoftoi javën e kaluar se tashmë edhe me afrimin e muajve të pranverës dhe verës, kur rritet fluksi i fluturimeve, gjithnjë e më shumë operatorë të rinj po zgjedhin të fluturojnë nga Rinasi. Më i fundit është kompania spanjolle “Vueling”, e cila nis nga 2 korriku deri në 24 tetor fluturime 4 herë në javë nga Barcelona në Tiranë dhe anasjelltas. Mundësitë janë që linja spanjolle, e cila operon 149 destinacione në 48 vende të botës të shtojë më tej në të ardhmen destinacionet nga Shqipëria.

Gjithashtu, edhe kompania Air Albania, njoftoi pak ditë më parë se do të ketë zgjerim të destinacioneve, duke nisur nga muajt e periudhës së pikut të fluturimeve, nga maji 2025. Ardhja e operatorëve të rinj dhe zgjerimi i fluturimeve është një sinjal i mirë që mbështet rritjen e mëtejshme të numrit të pasagjerëve që fluturojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, e cili tashmë është kthyer në një qendër të rëndësishme rajonale fluturimesh.

ekofin.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *