Alko Impex e Arbër Abazit dhe 2T e dyshes Sakos Troksi janë shpallur kompanitë fituese në tenderin 7.8 milionë euro për optimizimin e Ujësjellësit të qytetit të Vlorës dhe rrethina. Dy kompanitë, në joint venture 50 për qind me 50 për qind, kanë ofruar çmimin 742 milionë lekë ose rreth 7.5 milionë euro për realizimin e kontratës duke u shpallur fituese.
Në tenderin e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve pati dhe dy oferta të tjera. Alb Star e vëllezërve Ismailaj ofroi ta realizonte kontratën me një çmim prej 6.3 milionë eurosh ose gati 1.2 milionë euro më pak se oferta fituese.
Por AKUM, e skualifikoi ofertën më të ulët për mospërmbushje të kritereve të tenderit. Ndërkohë që oferta e tretë ishte ajo e kompanisë Bami me 758 milionë lekë ose rreth 7.6 milionë euro.
Fuqia 2T
E themeluar në vitin 2000, kompania që zotërohet gjysmë për gjysmë nga Dritan Troksi dhe Artan Sako është shndërruar në një nga nënkontraktorët më të mëdhenj buxhetit, veçanërisht në tenderat e rrugëve dhe atyre të ujësjellës-kanalizimeve. Vetëm një javë më parë, 2T përfitoi një tender tjetër të majmë me vlerë 8.5 milionë euro për sistemin e kanalizimeve të Spillesë, në bashkëpunim me Adriatik shpk të Kovaçëve të Durrësit.
Por ndërsa kontratat publike për kompaninë vërshojnë lumë, kjo nuk ka kaluar pa rënë në syrin e opozitës.
Partia Demokratike e ka akuzuar 2T si një kompani e oborrit të qeverisë. Vëllai i zotit Sako ka mbajtur për disa vjet pozicionin e kreut të Gardës së Republikës, ndërkohë që kompania është denoncuar publikisht edhe si ndërtuesja e banesës së kryeministrit në Surrel.
Vitin e kaluar, 2T u përjashtua nga përfitimi i tenderave publikë për një periudhë 6 mujore, me vendim të Agjencisë së Prokurimeve.
Sipas vendimit, APP kishte vërtetuar se shoqëria ndërtuese ka paraqitur të dhëna të rreme, në bazë të të cilave është shpallur fitues në tenderat për ndërtimin e godinës së re të Universitetit “Aleksandër Mosiu” në Durrës, për rikonstruksionin e godinës së Hipotekës në Tiranë dhe për rehabiltimin e digës së rezervuarit të Pacomit në Përmet. Por vendimi i përjashtimit nga tenderat u rrëzuan në gjykatë dhe kompania nuk u largua asnjë ditë nga tenderat publikë.
Ndërkohë, Alko Impex është një tjetër kompani me lidhje të fuqishme në qeveri. Ajo zotërohet nga Arbër Abazi, nipi i ish deputetit socialist, Sadri Abazi. Megjithatë lidhjet e Alkos me maxhorancën burojnë nga një tjetër qendër shumë e fuqishme pushteti. Kjo kompani është një nga përfitueset më të mëdha të tenderave të pastrimit në shumë bashki të vendit, ndërkohë që segmenti tjetër i kontratave të saj me shtetin është ai i mirëmbajtjes së rrugëve.