4 Mars, 2025
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

50 mln euro ndihmë nga BE për energjinë

Qeveria ka miratuar në parim marrëveshjen e financimit me Komisionin Evropian, për programin operacional shumëvjeçar për energjinë, për periudhën 2024 – 2027. Marrëveshja është lidhur në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), por teksti i plotë i saj nuk është publikuar ende.

Gjithsesi, referuar dokumentit të miratuar nga Komisioni Evropian në gusht të vitit që shkoi, vlera e financimit për periudhën 4-vjeçare parashikohet deri në 50 mln euro dhe do të disbursohet gradualisht përgjatë viteve. Sipas planit të detajuar, disbursimi duhej të kishte nisur në vitin 2024, por duke marrë në konsideratë vonesën e miratimit të marrëveshjes nga qeveria shqiptare, ai do të duhet të fillojë përgjatë këtij viti.

Sipas dokumentit për vitin 2025 parashikohet alokimi i 15 mln eurove, ndërsa nëse do i shtohet edhe vlera prej 4 mln euro e parashikuar për vitin që shkoi atëhere financimi shkon në 19 mln euro. Ndërkohë që, për vitin 2026 parashikohen financimi me 18 mln euro dhe për vitin 2027, me 13 mln euro. 

Sipas dokumentit, objektivat e ndjekura nga plani shumëvjeçar i veprimit do të avancojnë axhendën e gjelbër në Shqipëri duke forcuar përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit, duke kontribuar në zbutjen e ndryshimeve klimatike, duke rritur elasticitetin dhe duke lehtësuar kalimin në një ekonomi me karbon të ulët.

Po ashtu, specifikohet se objektivi i aksionit është promovimi i energjisë së rinovueshme, eficiencës së energjisë dhe mbrojtja e mjedisit në Shqipëri.

Scan

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *