Viti 2023 nisi i mbarë për Holta Zaçajn. Juriste dhe avokate për disa vite, një pjesë të të cilave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zaçja u katapultua në mënyrë të rrufeshme në krye të Gjykatës Kushtetuese.
Fillimisht, në janar të vitit të kaluar, ajo emërohet anëtare e Gjykatës dhe vetëm një muaj më vonë, në 20 Shkurt 2023, Holta Zaçaj zgjidhet kryetare e institucionit garant të Kushtetutës.
Zgjedhja e saj u pa me habi në radhët e profesionistëve të drejtësisë, pasi ajo nuk kishte qenë asnjëherë pjesë e gjyqësorit. Megjithatë, emërimi i saj u shoqërua me publikime të ndryshme mediatike, të cilat e prezantonin si “avokatja që la Amerikën për drejtësinë e re në Shqipëri”.
Nga dokumentat që ka parë “Boldnews.al”, këtyre raportimeve mund t’u shtohet edhe një detaj tjetër, ose më saktë një shprehje tjetër: “Avokatja që la të ardhurat avokatore në Amerikë, për të marrë një pagesë 3 mijë dollar në Shqipëri”.
Duket një sipërmarrje interesante dhe e guximshme, aq më tepër që Holta Zaçaj ka të paktën 2 milionë dollar kredi për pasuritë e paluajtshme në pronësi të saj dhe të familjes së saj.
Pasuria e Holta Zaçaj
Gjyqtarja Holta Zaçaj është e pasur, referuar standarteve matëse në Shqipëri.
Sipas formularit të pasurisë, dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), kryegjyqtarja Zaçaj zotëron pasuri të paluajtshme në një vlerë afërsisht 4 milionë dollar.
Asetet e paluajtshme janë në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas vetëdeklarimit të Zaçajt, një pjesë e rëndësishme e këtyre pasurive janë blerë me kredi.
Por cilat janë konkretisht pasuritë e vetëdeklaruara nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese? I shohim në vijim.
Pronat në SHBA
1. Truall plus ndërtesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me sipërfaqe 240 m2, e blerë në vitin 2022. Vlera totale e kësaj pasurie është 735.800 USD. Si burim për blerjen e saj kanë shërbyer dy kredi, njëra me vlerë 662.220 USD dhe tjetra në shumën 73.580 USD.
2. Truall plus ndërtesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me sipërfaqe 150 m2, blerë në vitin 2020. Vlera e kësaj pasurie është 1.155.000 USD. Burimi financiar për blerjen e kësaj prone janë dy kredi bankare, në vlerën 690.000 USD dhe 180.000 USD, si edhe të ardhura nga aktiviteti professional.
Pronat në Shqipëri
3. Truall plus ndërtesë në Shqipëri, me sipërfaqje 469 m2, e blerë në vitin 2015. Vlera e kësaj pasurie është 300 mijë euro dhe burimi për blerjen e saj është deklaruar një kredi bankare po në shumën 300 mije euro.
4. Truall plus ndërtesë në Shqipëri, me sipërfaqe takuese 66.73 m2. Kjo pasuri është fituar në vitin 2013 dhe gjyqtarja Zaçaj është bashkëpronare me 33 përqind. Vlera totale e pasurisë është 41.890.000 lekë. Ndërsa kontributi financiar i Holta Zaçaj është 13.963.600 lekë. Burim për këtë blerje është shënuar “shitja e aseteve të mëparshme, në shumën 137 mijë euro”.
5. Truall plus ndërtesë në Shqipëri, me sipërfaqe 247 m2, të përfituar në vitin 2015. Kjo pasuri ka kushtuar 200 mijë euro dhe si burim financiar për përfitimin e saj ka shërbyer një kredi në vlerë 120 mijë euro, si edhe shitje e aseteve në pronësi të mëparshme, në shumat 20 mijë dhe 60 mijë euro.
Në pasuritë e patundshme të familjes së Holta Zaçaj përfshihen edhe tre prona, në emër të djalit të saj madhor, Mario Kotherja.
26-vjeçari Kotherja rezulton të jenë pronar i tre apartamenteve, dy në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një në Tiranë. Konkretisht:
6. Apartament në Tiranë, blerë në vitin, me sipërfaqe 78 m2 dhe vlerë 100 mije euro. Djali i kryegjyqtares deklaron si burim për blerjen e këtij apartamenti një kredi në shumën 80 mijë euro.
7. Mario Kotherja deklaron një apartament në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, blerë në vitin 2020, me sipërfaqe 140 metra katrorë. Vlera e këtij aseti është 570 mijë USD dhe burim financiar është një kredi, në shumën 484.500 USD.
8. Djali i kryegjyqtares Kushtetuese deklaron gjithashtu se është pronar i një trualli plus ndërtesë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me sipërfaqe 300 m2 dhe vlerë 240 mijë USD. Për këtë pasuri, ai deklaron se ka marrë një hua në shumën 240 mijë USD.
Aksione dhe llogari bankare
Holta Zaçaj dhe bashkëshorti i saj, Erjon Duraj, rezultojnë aksionerë në tre studio ligjore, të regjistruara në Shtetet e Bashkuara: “Zaçaj Law PC”, aksione në vlerë 500 USD; “Z-Law RE LLC”, aksione në vlerë 100 USD; dhe “EZ-RE-LLC”, aksione në vlerë 100 USD.
Bashkëshorti Duraj rezulton aksioner edhe tek zyra ligjore “De Legibus Consulting” shpk.
Gjithashtu, Zaçaj rezulton titullare në 6 llogari bankare. Në njërën prej tyre ka të depozituar rreth 5200 USD, tek një tjetër 31 mijë USD. Ndërsa 4 llogaritë e tjera kanë shuma të vogla, të papërfillshme.
Bashkëshortët deklarojnë se kanë edhe një sasi monetare cash, jashtë sistemit banker. Konkretisht, Holta Zaçaj deklaron 7500 USD cash, ndërsa bashkëshorti i saj 5 mijë USD cash.
Po ashtu, Holta Zaçaj rezulton të ketë blerë në vitin 2020 një automjet me vlerë 65.387 USD dhe si burim kanë shërbyer të ardhurat dhe një kredi në shumën 57.387 euro.
Në vijim, Zaçaj deklaron se ka dhënë hua një shumë në vlerën 120 mijë USD, por pa specifikuar në pjesën e publikueshme të formularit të pasurisë se kujt ia ka dhënë.
Të ardhurat
Në formularin “para fillimit të detyrës”, të dorëzuar në janar 2023, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, deklaron të ardhura në shumën 30 mijë USD për vitin e mëparshëm (2022) nga aktiviteti profesional.
Gjithashtu, ajo deklaron edhe të ardhura nga dy qiradhënie, konkretisht në shumat 2166 euro dhe 6600 USD, pa specifikuar se cilat pasuri ka dhënë me qera.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj deklaron të ardhura në shumën 8803 USD, nga punësimi në studion “Movement Morgage LLC”.
Djali i kryegjyqtares deklaron si të ardhura shumën në vlerën 5757 USD, pa specifikuar pozicionin e punës.