27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore

Ylli Ndroqi padit Shqipërinë në arbitrazh për 130 mln euro

Biznesmeni Ylli Ndroqi ka paditur qeverinë shqiptare në arbitrazh duke kërkuar 128 milionë euro dëmshpërblim për sekuestrimin e televizionit Ora News dhe shkelje të njëanshme të disa kontratave, që kompanitë e tij kanë patur me shtetin shqiptar. Oligarkia.al ka mësuar se padia e tipit Ad Hoc i është dorëzuar zyrtarisht qeverisë shqiptare dhe tre ditë më parë Avokatura e Shtetit ka shpallur tenderin për të përzgjedhur studion ligjore, që do të mbrojë shtetin shqiptar në këtë konflikt.

Normalisht mosmarrëveshjet tregtare mes një shtetasi shqiptar dhe qeverisë së Shqipërisë gjykohen në gjykatat administrative të vendit. Por bashkëshortja e pronarit të Ora News, zonja Mimoza Ndroqi rezulton të ketë nënshtetësinë bullgare, çka i mundëson asaj ta padisë qeverinë shqiptare në Arbitrazh për shkeljen e traktatit dypalësh të investimeve mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.

Dëmi i pretenduar

Në vitin 2015 qeveria shqiptare firmosi një kontratë koncesioni për ndërtimin e një porti jahtesh në Durrës me kompaninë koncesionare Albania Bay Marina. Pjesa më e madhe e aksioneve të Albania Bay Marina zotërohej nga pronari i i RTV Ora, Ylli Ndroqi me 50%, ndërsa gjysma tjetër ndahej mes kompanisë shqiptare ISDC me 30% dhe asaj bullgare, Quentin Ltd me 20%. Por investimi nuk u realizua asnjëherë për shkak edhe të problemeve me pronësinë e tokës.

Zoti Ndroqi pretendon se qeveria shqiptare ka shkelur në mënyrë të njëanshme kontratën e Portit Turistik, duke mos i vënë në dispozicion terrenin e premtuar në kontratë. Veç dështimit të Portit, biznesmeni Ndroqi pretendon se ka pësuar dëme nga qeveria edhe në disa kontrata të tjera që ai ka patur për ndërtimin e një resorti turistik, lejen minerare për shfrytëzimin e një miniere kromi si dhe disa liçenca për ndërtim hidrocentralesh.

Përveç këtyre, pretendimet e tjera të biznesmenit lidhen me sekuestrimin e pasurive nga autoritetet shtetërore, perfshirë televizionin Ora News. Për të gjitha këto pretendime, zoti Ndroqi kërkon nga shteti shqiptar një kompesim prej 128 milionë euro, një shifër kjo pak më e madhe se sa kompesimi që fitoi një tjetër ish pronar mediash, biznesmeni italian Francesco Becchetti.

Breshëri arbitrazhesh

Shqipëria po përballet me një breshëri gjyqesh në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit, ku biznesmenë dhe kompania të huaja pretendojnë kompesime të rënda financiare për dëme që pretendojnë se kanë pësuar nga qeveria shqiptare.

Deri tani, qeveria shqiptare ka humbur në të gjitha shkallët procesin gjyqësor me Francesco Becchettin, ku gjykata ICSID e dënoi Shqipërinë me 108 milionë euro gjobë plus interest dhe kostot administrative.

Por aktualisht janë në zhvillim disa procese kundër Shqipërisë në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit, pretendimet e të cilave arrijnë në mbi 1 miliardë euro. Një javë më parë, kompania gjermane EMS, që ka me koncesion terminalin lindor në Portin e Durrësit, paditi qeverinë shqiptare duke kërkuar 40 milionë euro kompesim. Ndërsa pa u tharë ende boja e padisë së gjermanëve, Shqipëria detyrohet të përballet me një tjetër gjyq, këtë herë me biznemenin Ylli Ndroqi, i cili kërkon 128 milionë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *