Shqiptarët janë një nga komunitetet më të mëdha të sipërmarrjes në Itali duke zotëruar biznese që qarkullojnë miliarda euro. Të dhënat janë bërë publike nga ministria italiane e Ekonomisë në raportin vjetor të sipërmarrjes.
Sipas raportit, aktualisht shtetasit e lindur në Shqipëri zotërojnë 58 mijë biznese në Itali duke u renditur komuniteti i katër më madh i sipërmarrjes pas kinezëve, rumunëve dhe marokenëve. Sipas statistikave zyrtare, vetëm në vitin e kaluar numri i bizneseve që zotërohen nga shtetasit shqiptar në Itali u rrit me 7.4 për qind, çka përbën rritjen më të madhe.
Krahasimi i të dhënave tregon se numri i bizneseve që zotërojnë shqiptarët në Itali është sa 30 për qind e ndërmarrjeve totale që ka Shqipëria dhe gati 10 herë më i lartë se numri i të gjitha ndërmarrjeve të huaja në Shqipëri.
Sipas institutit të kërkimeve, IDOS, aktualisht ndërmarrjet e zotëruara nga emigrantët e huaj në Itali qarkullojnë 120 miliardë euro në vit ose gati 7 për qind të vlerës totale të shtuar në ekonominë italiane. Shqiptarët vlerësohet se zotërojnë rreth 10 për qind të këtij qarkullimi, çka do të thotë se vetëm në Itali shtetasit shqiptarë prodhojnë një aktivitet ekonomik prej 12 miliardë euros ose gati sa Prodhimi i Brendshëm Bruto i Shqipërisë.
Statistikat tregojnë se emigrimi masiv nga Shqipëria ka gërryer jo vetëm forcën punëtore, por edhe kategorinë më vitale të ekomisë, komunitetin e sipërmarrësve. Ndërsa Shqipëria përballet me probleme të mëdha ekonomike dhe rritje të ngadaltë të mirëqënies, shqiptarët bëjnë biznes dhe zhvillojnë ekonomitë e botës.