Klodian Tomorri
“Stare Decisis et Non Queita Movere” është një maksimë antike nga latinishtja që do të thotë qëndroi asaj që është vendosur dhe mos përmbys çështjet e zgjidhura. Mbi këtë doktrinë bazohet parimi i preçedentit gjyqësor, i cili detyron gjykatat që për çështje identike t’u përmbahen vendimeve të mëparshme.
Idea e precedentit është se duke ndjekur vendimet e mëparshme, gjykatat garantojnë drejtësi të paanshme dhe siguri juridike. Dhe logjika mbi të cilin bazohet ky parim është e thjeshtë. Nuk mund të ketë dy të vërteta. Për dy çështja identike nuk mund të ketë dy vendime të ndryshme.
Kërkesa e Partisë Demokratike për shfuqizimin e Bordit të Karburanteve ishte identike mot a mot me kërkesën e mëparshme për shfuqizimin e Bordit të Ushqimeve. Por çfarë ndodhi?
Në rastin e parë, Gjykata Kushtuese tha se Bordi i Ushqimeve është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe vendosi shfuqizimin e tij. Por për Bordin e Karburanteve, Gjykata Kushtetuese vendosi ndryshe.
Në vendimin e njoftuar një ditë më parë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vetëm një fjali të Aktit Normativ për ngritjen e Bordit të Karburanteve. Atë që ia lë tagrin e shkrirjes së Bordit të Karburantëve vetë anëtarëve të tij. Gjykata thotë se kjo pikë është e papajtueshme me Kushtetutën pasi Bordi nuk mund të vendosë vetë për shkrirjen e tij, duke ia lënë topin qeverisë.
Por a nuk ka qenë në vullnetin e qeverisë shfuqizimi i Bordit deri më tani? Sigurisht që po. Nëse qeveria do të donte ta shkrinte Bordin e Karburanteve do ta kishte bërë tashmë dhe nuk kishte nevojë që për këtë ta kujtonte Gjykata Kushtetuese.
Me pak fjalë vendimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese është një lojë fjalësh. Një vendim për mos të vendosur gjë. Por kjo lojë fjalësh ka shkelur një nga parimet më kryesore të së drejtës; preçedentin ligjor. Dhe mënyra se si u administra çështja e Bordit të Karburanteve është po ashtu e çuditshme.
Gjykata priti deri ditën e fundit të afatit për të shpallur një vendim, që nuk thotë asgjë. Tani gjithkush ka të drejtën të pyesë nga ndryshon Bordi i Ushqimeve me atë të Karburanteve? Dhe përgjigja e vetme logjike në gjithë këtë situatë duken palët e interesuara. Ndoshta tregtarët e miellit ishin më bindës për Gjykatën se ata të karburanteve. Dhe siç e pati thënë dikur një ish deputet në Parlament: Kushtetuesja vesh me tuta, poshtë e poshtë Kushtetuta.