Bizneset që kanë mosmarrëveshje tregtare me njëra tjetrën mund të shmangin gjykatat dhe të gjykojnë mosmarrëveshjet e tyre në trupat vendase të arbitrazhit nësë duan. Qeveria ka miratuar projektligjin për arbitrazhin, i cili i hap rrugë ngritjes së “gjykatave” të arbitrazhit në vend.
Sipas draftit, institucioni i arbitrazhit themelohet dhe regjistrohet si person juridik, sipas legjislacionit shiqptar. Ai e fillon ushtrimin e aktivitetit pas regjistrimit në Regjistrin e Institucioneve të Arbitrazhit të mbajtur pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Pas regjistrimit në ministrinë e Drejtësisë, një institucion arbitrazhi mund të fillojë të gjykojë konfliktet tregtare të palëve dhe vendimet e tij titull ekzekutiv.
Kush gjykohet në arbitrazh
Aktualisht gjykatat shqiptare janë të mbingarkuara me ccështje. Kjo bën që proceset gjyqësore të marrin vite të tëra deri në zgjidhjen e tyre. Bizneset që duan të shmangin zvarritjen nëpër gjykata, gjatë kontratave që hartojnë me njëra tjetrën mund të përcaktojnë se mosmarrëveshjet e mundshme mes tyre do të gjykohen në arbitrazh.
Vetëm kur bizneset kanë përcaktuar më parë në kontratë se mosmarrëveshjet e mundshme do të gjykohen në arbitrazh, ato mund të shkojnë për t’u gjykuar në këtë institucion.
Por si funksionon arbitrazhi?
Zakonisht trupat e arbitrazhit funksionojnë me 3 arbitra. Ku dy arbitra zgjidhen nga palët në konflikt, pra nga një arbitër secila, ndërsa arbitri i tretë zgjidhet nga dy arbitrat e zgjedhur nga palët. Por nëse duan, palët mund të saktësojnë një numër tjetër arbitrash në kontratë.
Pas formimit të trupës, arbitrazhi nis gjykimin e konfliktit. Vendimi i dhënë nga arbitrat është final dhe i detyrueshëm duke marrë atributet e titullit ekzekutiv. Ai nuk mund të ankimohet në gjykatë, pas nëse palët zgjedhin arbitrazhin ato kanë hequ r dorë nga e drejta për t’u gjykuar në gjykatë.
Sipas draftit, ka vetëm disa raste specifike kur vendimet e arbitrazhit mund të ankimohen në gjykatë dhe përgjithësisht ato lidhen me shkeljen e procedurave. Por si rregull vendimet e arbitrazhit janë përfundimtare dhe përbejnë titull ekzekutiv.