27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Prodhimi i energjisë, privatët thuajse barazojnë shtetin

Pesha e prodhimit privat të energjisë elektrike po rritet me shpejtësi nga viti në vit. Enti Rregullatori i Energjisë Elektrike raportoi se vitin e kaluar, Shqipëria prodhoi 7 miliardë kilovat orë energji në total, nga te cilat 3.85 miliardë kilovat u prodhuan nga centralet në zotërim të kompanisë publike KESH sh.a, ndërsa 3.14 miliardë u prodhuan nga centralet private.

Kjo do të thotë se vitin e kaluar burimet private prodhuan rreth 45 për qind të prodhimit total të energjisë në Shqipëri. Sipas ERE, krahasuar me një vit më parë pesha e privatëve në prodhimin e energjisë u rrit me gati 4.5 pikë përqindje, pasi në vitin 2021 energjia e prodhuar nga privatët ishte sa 40.4 për qind e totalit.

Për vitin 2022, numri i centraleve private të cilat kanë prodhuar energji elektrike është 240, ku 9 prej të cilëve janë prodhues të pavarur, kurse pjesa tjetër prej 231 centrale janë prodhues me përparësi të energjisë elektrike.

Rritja e shpejtë e peshës së prodhuesve privat të energjisë është rezultat i politikës së ndjekur veçanërisht gjatë viteve 2005-2010 ku u stimulua investimi në hidrocentrale private. Gjatë kësaj kohe u licencua ndërtimi i qindra hidrocentraleve në të gjithë territorin e vendit, përfshirë disa vepra të mëdha si Kaskada e Devollit, Ashta apo dhe ato të kontraktuara me kompaninë turke Ayen.

Ndërkohë, vitet e fundit investimet në burimet e reja të energjisë, janë orientuar kryesisht drejt parqeve diellore. Qeveria ka miratuar dhe tashmë janë në fazë ndërtimi dy centrale të mëdha diellore, në Karavasta dhe Spitallë me kapacitet të instaluar rreth 240 mega vat, të cilët po ndërtohen nga kompania francize Voltalia. I pari pritet që të hyjë në prodhim në verën e këtij viti, ndërsa parku i Spitallës pritet të fillojë prodhimin vitin e ardhshëm.

Paralelisht pak javë më parë, Ministria e Infrastrukturës shpalli thirrjen për një program i cili parashikon ndërtimin e 1 Giga Vat të tjera parqesh diellore. Sipas dokumentave tenderi i parë për 300 mega do të zhvillohet brenda muajit tetor të këtij viti, ku privatët do të garojnë kush ofron çmimin më të ulët për energjinë që do i shesin shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *