27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Mbyllet financimi për parkun diellor të Karavastasë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, IFC, Intesa San Paolo Bank Albania dhe Privredna Banka Zagreb do të disbursojnë së bashku një kredi 99 milionë euro për ndërtimin e Parkut Diellor të Karavastasë. Kostoja totale e ndërtimit të centralit me fuqi të instaluar 140 mega është 135 milionë euro. Pjesa tjetër financohet nga vetë fondet e kompanisë ndërtuese, francizes Voltalia.

Disbursimi i kredisë së sotme mbyll përfundimisht financimin e plotë të projektit. Qeveria shqiptare shpreson që centrali diellor i Karavastasë të fillojë prodhimin brenda këtij viti. Ai do të ketë një kapacitet 140 mega vatësh, nga të cilat 70 mega do të prodhojnë energji që do t’i shitet shtetit shqiptar, ndërsa pjesën tjetër kompania Voltalia do e shesë në treg të lirë.

Sipas ankandit të realizuar tre vjet më parë, çmimi me të cilin Voltalia do ja shesë energjinë shtetit shqiptar për 15 vitet e ardhshme është 24.89 euro për mega vat, një çmim jashtazakonisht i favorshëm, duke patur parasysh ecurinë e çmimeve të energjisë elektrike në bursa.

“Projekti i Parkut Diellor të Karavastasë është një moment historik në diversifikimin e prodhimit të energjisë për Shqipërinë. Mbyllja e plotë e financimit të projektit dëshmon cilësinë dhe qëndrueshmërinë e këtij projekti,” u shpreh Constantin von Alvensleben, menaxher i përgjithshëm i Voltalias për Shqipërinë.

Parku Diellor i Karavastasë është një nga dy projektet që po zhvillon gjigandi francez Vlotalia në Shqipëri. Veç tij, kjo kompani po ndërton edhe një central të dytë në zonën e Spitallës me fuqi të instaluar 100 mega vat. Edhe ky central ka të njëjtën formulë si i pari, ku energjia e prodhuar nga 70 mega do t’i shitet shtetit shqiptar me çmim të favorshëm, ndërsa pjesa tjetër në treg të lirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *