27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial

10 Kontradikta te medha qe kane mberthyer per fyti Tiranen

Ervin Goci

Tirana e sotme frymon duke dihatur shtrenguar mes kontradiktash mes perfituesve dhe te perjashtuarve absolut.

Erion Veliaj e ka zhyt qytetin ne lufte lloji, duke ndertuar nje qytet per nje mase dhe duke hedh ne rruge nje mase tjeter. Ata qe shkundin supet me kryetarin, nje pjese perfitojne direkt, dhe nuk jane dhe aq te pafajshem.

Qyteti ka nje kontradikte te pare thelbesore, qe eshte mes atyre qe shesin dhe atyre qe blejne. Duke u perqendruar gjithçka ne Tirane, ne kemi prodhuar pasurine dhe varferine absolute, po kurrsesi qarkullimin e parase dhe te mirave ne qytet.

Kontradikta e dyte shume e madhe, eshte mes atyre qe njihen si pronaret e tokes, njerez qe pretendojne te drejta eksluzive ne qytet, qe marrin prona te paluajtshme dhe atyre qe duhet te blejne ne situate shtrenguese dhe perjashtuese, pa patur mundesine qe te blejne te nje ent publik me çmim te pranueshem. Apartamenti eshte kthyer si stok ari dhe jo si infrastrukture strehimi.

Kontradikta e trete eshte mes vendasve apo te ardhurve te hershem ne Tirane dhe rishtareve qe kane ardhur me vone dhe qe jane te perjashtuar nga te mirat e qytetit. Ata qe vijne do duhet t’i blejne asetet ne qytet me çmime minimalisht 2 here me te shtrenjta se ata qe mund t’i kene blere dhe 5 vite me pare, duke krijuar nje disnivel te rende dhe te paperballueshem, duke zhytur masa njerezish ne depresion absolut.

Kontradikta e katert eshte mes qiradhenesve dhe qiramarresve, ku ata qe japin qera jane perfituesit absolute dhe ata qe marrin jane humbesit absolut, pa asnje mase rregullatore ne mes, pa taksa dhe pa politika mbeshtetese per qiramarresin, duke i çuar njerezit all-in drejt blerjes perfundimtare te apartamentit me kosto stratosferike.

Kontradikta e peste, eshte tek aksesi te paraja, ata qe kane asete, prona e te mira materiale, e kane shume me te thjeshte qe te marrin nje kredi dhe te financojne nje biznes, nje sipermarrje diku, apo dhe te paluajtshme te tjera, keta qe nuk kane asgje, te vetmen mundesi per kolateral kane varferine dhe pasigurine e tyre ekonomike. A te jep njeri kredi ne keto kushte? Hiqu tutje!

Kontradikta e gjashte eshte mes atyre qe jetojne ne lagjet e periferise dhe atyre te qendres, ku çmimet e aseteve te paluajtshme levizin me te pakten dyfish, dhe diferenca mes sherbimeve qe marrin eshte abisale.
Po t’i shohesh me kujdes, periferite e Tiranes nga qendra banimi, jane kthyer ne kanale shkarkuese te ujrave te zeza qe shkarkon qendra e Tiranes, apo si korridore rruge, por ato nuk konsiderohen si qendra zhvillimi dhe te zhvillueshme ekonomikisht dhe kulturalisht.
Ato vazhdojne te mbeten stigma sociale.

Kontradikta e shtate eshte mes atyre qe kane pallatet e vjetra dhe atyre qe i kane blere te reja. Ne kushtet normale, nese do te ishin mirembajtur te vjetrat apo do kishte nje plan urbanistik qe nuk parashikon shembjen e tyre, vlera mes tyre do ishte disi e perafert, sigurisht me diferenca te arsyeshme, por ne jemi ne piken qe pallatet e vjetra po trajtohen si mallkime dhe ato te reja si bekime. Te njejten lagje, me diference 5 metra nga shtepia ne shtepi, mund te gjesh diferenca çmimesh me dyfish. A ka pabarazi me te madhe se kjo? Çarje sociale me bekimin e Bashkise.

Kontradikta e tete, eshte mes shtepive me letra dhe shtepive apo pronave informale, pa letra, ku disa kane gjithçka dhe te tjeret nuk kane asgje. Proçesi i legalizimit ka qene nga ndyresite me te egra qe e ka ushtruar ne forme genocidale politika duke i konsideruar si refugjate politike nje pjese jo te vogel te bashkeqytetareve.
Sot e kesaj dite stigma e shpellareve dhe te paintegruarve ka krijuar nje aset te madh per politikat gjentrifikuese, duke hapur sheshe ndertimi me kosto zero per ndertuesit, e madje duke perdorur kontributet e taksapaguesve gjoja me projekte te medha infrastrukturore.

Kontradikta e nente eshte mes moshave te mesme dhe te larta me moshat e reja, te cilet te shkretet jane totalisht nen kontrollin e prinderve, kusherinjve, vellezerve e motrave, por megjithese jane kapital i jashtezakonshem ekonomik dhe ne lule te moshes, jane te perjashtuar nga gjithçka. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe ikja masive e te rinjve dhe plakja e rende e qytetit ne nje kohe rekord, sepse ne Tirane po punohet per ata qe jane. Ashensori social ka dekada qe eshte ndryshk dhe eshte ne renie te lire.

Kontradikta e dhjete, eshte mes parase se piset, korrupsionit, mosdeklarimit, dhe burimeve financiare te ligjshme. Piramida e parase se piset e zhvlereson parane e ndershme me disa here, duke e kthyer lekun kashte, pa asnje vlere.
Kjo para eshte kanalizuar me qellim, me strategji shume te qarte kryesisht ne ndertim, me qellim qarkullimin dhe pastrimin. Sa me shume deklarohen çmimet aq me shume para pastrohet. Pastrimi ndodh ne ndertim, ne shitje, e ne blerje. Eshte e njejta dore qe nderton, shet dhe blen, sepse do te qarkulloje sa me shume. Ndaj dhe çmimet jane ne kete gjendje apokaliptike. Kjo situate hedh ne plehra masa te gjera te popullsise qe nuk kane asnje mundesi reale per t’i aksesuar keto pasuri.

Tirana eshte kthyer si nje rulete ruse, ku çdo veprim eshte si te hedhesh zaret e nuk dihet se ç’te gjen, me mundesine qe çdo hap, mund te te sjelle zarare te medha.
Qyteti eshte i keputur ne dysh, i thyer per mesi, i copetuar.

Nuk mund te kete asnje plan per Tiranen pa marre ne konsiderate keto kontradikta te thella, te cilat krijojne dhe diznivele edukimi, aksesi ne qytet, prodhojne te nginjur dhe refugjate.

Çdo kandidat qe nuk del me zgjidhje te fuqishme te cilat kapercejne interesat e xhepit dhe nuk flet per zgjidhje totale ne qytet, per mua eshte nje dobiç qe nuk ka asnje lidhje me interesin e gjere publik dhe nuk mund te kete stofin qe te drejtoje nje qytet. Individe pa permasa, pa dell politik, pa retorike perfshirese, qe nuk ia mban menderja qe te perballen me problemet e medha qe ka qyteti, nuk meritojne asgje.

Per mua dy gjera jane thelbesore perpara se te votoj: çeshtjet qe ngrihen dhe integriteti i subjektit dhe personit qe i del per zot.

Keto te dyja peshojini mire, para se te votoni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *