Numri i shtetasve të huaj, që vizituan Shqipërinë u rrit me 59.5 për qind në tre muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave raportoi se për periudhën Janar-Mars 2023, Shqipëria u vizitua nga 1 milionë e 70 mijë të huaj, kur në tremujorin e parë të vitit të kaluar shifra ishte 671 mijë.
Të dhënat e tremujorit të parë sinjalizojnë se Shqipëria po i drejtohet një tjetër viti rekord për sektorin e turizmit, duke paralajmëruar kohë të mira për hotelet, aeroportin, agjenitë turistike dhe gjithë bizneset e tjera të lidhura me këtë sektor.
Sipas Instat në dy muajt e parë të këtij viti, hotelet shqiptare regjistruan 115 mijë netë qëndrime nga të huajt, ose 10.5 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Numri i netë qëndrimeve arriti rekordin historik vitin e kaluar, kur Shqipëria regjistroi gati 2.5 milionë netë qëndrime vetëm nga jo rezidentët me një rritje prej gati 25 për qind krahasuar me vitin 2021.
Këtë vit pritshmëritë janë që numri i netë qëndrimeve në hotelet e vendit të shënojë një tjetër rekord historik, duke para fluksin e lëvizjeve në tre muajt e parë të vitit, por edhe raportimet nga agjencitë e udhëtimeve.
Tashmë sektori i turizmit është shndërruar në një nga lokomotivat kryesore të ekonomisë shqiptare. Vitin e kaluar ky sektor gjeneroi gjysmën e të ardhurave totale nga eksportet, ose 2.84 miliardë euro.
Banka e Shqipërisë vëren se përmirësimi i fortë i eksporteve të turizmit është një nga arsyet kryesore që po forcon lekun ndaj euros.