27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

“Shqipëria që duam” kushton. Edhe 2 mln euro për platformën

Agjencia Kombëtare e Shoqerisë së Informacionit do të paguajë rreth 210 milionë lekë ose 1.9 milionë euro për të përmirësuar platformën “Shqipëria që duam”. Sipas dokumentave të tenderit, që është shpallur në Agjencinë e Prokurimeve Publike, platforma e bashkëqeverisjes ka nevojë për përmirësime që të funksionojë edhe më mirë.

“Aktualisht platforma me pjesët përbërëse të saj ka nevoje për përmirësime si shtim modulesh, shtim raportesh dhe optimizime në mënyrë që të jetë e plotë, të ofrojë një disponueshmëri më të lartë dhe më shumë të automatizuar,” e justifikon AKSHI tenderin.

“Shqipëria që duam” u prezantua nga kryeministri Edi Rama në tetor të vitit 2017 si një platformë komunikimi mes qeverisë dhe qytetarëve për çështje të aktualitetit politik e qeverisës. Në platformën dixhitale “Shqiperiaqeduam.al”, qytetarët kanë akses të shprehë ankesat, opinionet apo sugjerimet për qeverinë dhe ministritë apo dhe institucionet në varësi.

Por që në fillim të krijimit të saj kjo platformë u pa me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar. “Shumica në pushtet ka krijuar struktura për të përmirësuar llogaridhënien e qeverisë, duke ftuar qytetarët që të paraqesin vlerësimin e tyre përmes “platformave të bashkë-qeverisjes”. Zbatimi i kësaj iniciative duhet të ndiqet në mënyra që lejojnë ruajtjen e dallimit ndërmjet partisë dhe qeverisë,“ rekomandonte Komisioni Europian pas hapjes së platformës.

Por për qeverinë platforma “Shqipëria që duam” është një histori suksesi që u ka shërbyer shumë qytetarëve duke bërë të mundur zgjidhjen e mijëra ankesave dhe problemeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *