27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

“Nënë Tereza” kërcënon fronin e “Nikola Teslas”

Rritja e shpejtë e turizmit dhe industrisë së udhëtimeve në Shqipëri po e shndërron Rinasin në aeroportin më të madh të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat zyrtare tregojnë se në tre muajt e parë, numri i pasagjerëve që udhëtuan përmes aeroportit ndërkombëtar të Tiranës arriti në 1 milionë e 166 mijë vetë, çka përbën një rekord historik.

Sipas statistikave, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, numri i pasagjerëve, që kanë udhëtuar nga Rinasi në janar mars të këtij viti është rritur me 54 për qind ose 410 mijë vetë.

Ky është viti i tretë rresht që aeroporti “Nënë Tereza” regjistron rritje dyshifrore të numri të pasagjerëve, pas bllokimit që industria e fluturimit pati nga pandemia. Sipas statistikave të Eurocontrol, aktualisht Shqipëria është vendi me rritjen më të fortë të industrisë së fluturimeve ne Europë.

Krahasuar me periudhën para pandemise, pra me vitin 2019, numri i pasagjerëve që udhëtojnë përmes Rinasit eshte rritur me rreth 60 për qind. Sot në nivel Europian, ky tregues është 15 për qind më i ulët. Ky bum udhëtimesh dhe zgjerimi i linjave ajrore po e shndërrojnë Rinasin në një nga aeroportet më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, tashmë me sytë nga froni. Medalja e aeroportit më të madh në rajon historikisht është mbajtur nga aeroporti Nikola Tesla i Beogradit në Serbi. Por tashmë diferenca mes tij dhe aeroportit të Tiranës po ngushtohet me shpejtësi të madhe.

Faqja aeroTelegraph një nga më të mëdhatë në botë për ekspertizën në industrinë e fluturimeve raporton se drejtuesit e aeroportit, që tashmë zotërohet nga grupi Kastrati janë të bindur se Rinasi do të hipë shumë shpejt në fron. “Nëse trendi i fluturimeve vazhdon me këtë ritëm shumë shpejt Rinasi do të jetë aeroporti më i madh në rajon, diçka që deri para pak vitesh nuk do ta besonte askush,” shkruan ajo. Dhe shifrat shkojnë në atë drejtim.

Në tremujorin e parë të këtij viti aeroporti i Beogradit përpunoi vetëm 134 mijë pasagjerë më shumë se sa ai Tiranës. Duke patur parasysh bumin e udhëtimeve që po përjeton industria ajrore në Shqipëri, tashmë lufta për fronin e aeroportit më të madh në Ballkan është më e fortë se kurrë. “Nënë Tereza” po kërcënon seriozisht fronin e “Nicola Teslas.” Sinjali i parë u dha vitin e kaluar kur Aeroporti i Tiranës kaloi shifrën e 5 milionë pasagjerëve.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *