Shoqatat e eksportuesve kanë lëshuar alarmin se forcimi i pandalshëm i lekut ndaj euros është duke vënë në vështirësi serioze të gjitha bizneset që punojnë për eksport. Përmes një letre dërguar guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe ministres së Financave, shoqatat e eksportuesve kërkojnë ndërhyrjen e mënjehërshme të shtetit për të zgjidhur këtë situatë.
“Rënia e euros ndaj lekut në nivelet më të ulëta historike ka dëmtuar dhe vazhdon të dëmtojë rëndë një pjesë të subjekteve të biznesit, gjë e cila shoqërohet me impakte shumë negative në ekonominë e vendit. Ky fenomen nuk mund të lihet në rënie të lirë” shkruhet në letrën e firmosur nga 7 shoqata përfaqësuese të eksportuesve.
Sipërmarrësit thonë se deri më tani autoritetet shtetërore nuk kanë dhënë asnjë qëndrim zyrtar lidhur me shkaqet e këtij fenomeni, të cilin ata e quajnë një anomali e theksuar, aq më tepër të komunikojnë masa për të vënë nën kontroll këtë dukuri.
Në letër eksportuesit thonë se zhvlerësimi i euros nga leku nuk ka sjellë përfitime për konsumatorët, pasi të vetmit që kanë fituar nga ky kurs këmbimi janë një pakicë importuesish.
“Por nga ana tjetër ky zhvlerësim ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, atë eksportuese dhe turizmin vendas duke drejtuar shumë ndërmarrje drejt falkimentimit” shkruajnë ata në letër.
Nisur nga kjo situatë eksportuesit i kërkojnë guvernatorit dhe ministres së Financave, që të bëjnë një analizë të detajuar mbi impaktet e kursit të këmbimit në ekonomi, të bëjnë transparencë për faktorët natyralë dhe jo natyralë që po e shkaktojnë këtë ecuri të kursit si dhe të marrin vendime për të normalizuar situatën duke ndërhyrë në treg.
Letra është firmosur nga 7 shoqata të mëdha biznesi, të cilat përfaqësojnë sipërmarrjen eksportuese si shoqata e turizmit, ajo e Prodhuesve Shqiptar, Proeskport, Bashkimi i Industrialistëve të Shqipërisë, Albanian Food Industry Agrobiznesi Shqiptar dhe Shoqata e Bimëve Mjekësore dhe Aromatike.