27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore

Klani që fundosi ARMO-n mbin tek inceneratori

Një ditë më parë portali Syri.net njoftoi se pronarët e inceneratorit të Tiranës kanë ndryshuar. Sipas dokumentave të depozituara në QKB, tashmë në kompaninë Integrated Energy është shtuar si pronar edhe shtetasi francez Max Abitbol.

Inceneratori i Tiranës ka një zinxhir pronësie prej dy kompanish. Kompania e parë është Integrated Energy BV SPV. Kjo është kompania të cilës qeveria i ka dhënë koncesionin 35 vjeçar të inceneratorit të Tiranës. Por vetë Integrated Energy zotërohet në masën 100 për qind nga një kompani e regjistruar në Hollandë, që quhet Geogenix. Zoti Abitbol rezulton se ka blerë aksione tek Geogenix dhe rrjedhimisht kjo e bën atë pronar edhe tek inceneratori i Tiranës.

Nga dokumentat e QKB struktura e pronësisë fundore është e paqartë dhe jo e plotë. Oligarkia.al publikon një dokument ekskluziv, i cili shpjegon qartë pronësinë fundore të koncesionit të inceneratorit. Sipas grafikut që mban datën 10 maj 2022, pikërisht në të njëjtën datë që raporton dhe QKB se kanë ndodhur ndryshimet, rezulton se kompania Integrated Energy zotërohet nga 3 pronarë. Alberto Presezzi zotëron 40 për qind të kuotave, Max Abitbol po 40 për qind dhe Giuseppe Ciaffaglione 19.9 për qind. Ky i fundit është ish administratori i kompanisë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK.

Fijet pas pronarit të ri

Max Abitbol rezulton të ketë blerë 40 për qind të aksioneve të Geogenix në Hollandë përmes një kompanie të quajtur Icare Holding SA. E regjistruar në kantonin e Vaudit në Zvicër, Icare Holding SA është një kompani e themeluar në vitin 2011, që më parë ka mbajtur emrin JMG Investments SA. Në vitin 2018, JMG është përthithur nga Icare Holding, që në atë kohë rezultonte me asete totale rreth 600 mijë euro.

Gjashtë muaj më parë, Icare Holding ka hapur një filial të sajin në Shqipëri me emrin Icare Energji. Sipas dokumentave, administratore e kompanisë rezulton Marigona Metaj, ndërsa anëtarët e këshillit mbikqyrës janë Max Abitbol, Blerim Hoxha dhe Joel Jacques Jean Chevallaz. Këta janë emra të njohur në Shqipëri.

Blerim Hoxha ka qenë administratori i Tosk Energji nga viti 2016 deri në prill të vitit të kaluar. Tosk Energji është kompania që i dha goditjen përfundimtare ARMO-së, e cila më pas u çmontua për skrap. E prezantuar si kompania që do të shpëtonte rafinerinë nga borxhet dhe do të rigjallëronte prodhimin, Tosk i rëndoi edhe më shumë borxhet e ARMO-s dhe la mbrapa qindra punonjës të papaguar më muaj të tërë, rroga të cilat më vonë i pagoi qeveria nga taksat e qytetarëve. Sot Tosk Energji është nën sekuestro nga administrata tatimore për shkak të detyrimeve të papaguara në shtet.

Marigona Metaj dhe Joel Jacques Jean Chevallaz po ashtu kanë qenë pjesë e Tosk Energji. E para si përfaqësuese e autorizuar e kompanisë, ndërsa Chevallaz anëtar i Këshillit Mbikqyrës për periudhën 2016-2018. Lidhja tjetër është Christophe Dabord, i cili tani rezulton si përfaqësues ligjor i kompanisë Icare Holding SA në Zvicër. Zoti Dabord është ish administratori i ARMO-s, gjatë kohës që Uzina shfrytëzohej nga Tosk dhe Byllis Energji.

Biznes guackash

Por fija e fundit drejt ARMO-s është adresa e kompanisë. Icare Energji e themeluar në Shqipëri, rezulton se ka adresë në qendrën e biznesit Aba Business Center, kati i 7-të. Në fakt, kjo adresë që kompania deklaron në ekstraktin e QKB është gabim, qëllimisht ose jo, kjo ka pak rëndësi.

Në katin e 7-të të qëndrës ABA i ka zyrat një tjetër kompani. Adresa e vërtetë e Icare deri pak kohë më parë ka qenë kati i 8-të i ABA Business Center, në të njëjtën zyrë me kompaninë Ballkan Energji, që ka për pronar Skënder Sulaj dhe administrator biznesmenin Besnik Sulaj, i akuzuar nga opozita si njeri i afërt i kryeministrit Edi Rama.

Me pak fjalë, fijet e pronarëve të rinj të inceneratorit shtrihen në 500 metër përgjatë Bulevardit të Tiranës, nga Aba Center që ata deklarojnë si adresë zyre deri tek një kazino afër qendrës së Tiranës. Ne mes të kësaj vije lineare gjendet godina e Kryeministrisë. Për opozitën, inceneratori i Tiranës është biznes qeveritar. Dhe me shumë gjasa aksionet e tij fundore nuk gjenden as në Amsterdam dhe as në Gjenevë, por mbahen të mbyllura në ndonjë kasafortë në Tiranë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *