Sulmet kibernetike kanë filluar të shndërrohen në një shqetësim serioz për sistemin banker, teksa gjatë vitit të kaluar një pjesë e bankave shqiptare ranë pre e tyre. Kjo ka bërë që gjatë muajve të fundit, rreziku nga sulmet kibernetike të ngjitet ndjeshëm në hierarkinë e risqeve të perceptuara nga bankat shqiptare për aktivitetin e tyre.
“Për herë të parë në klasifikimin e rreziqeve kryesore sistemike në vend, është përfshirë dhe kategoria “rreziqe të tjera”, ku ka dominuar rreziku nga sulmet kibernetike,” thuhet në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e dytë të vitit.
Shtimi i këtyre sulmeve kohët e fundit, ka rritur shqetësimin e bankave për dëmin e mundshëm ndaj aktivitetit të tyre. Për këtë arsye një pjesë e kanë filluar të rrisin me shpejtësi investimet për përmirësimin e sistemeve mbrojtëse.
Valë sulmesh
Viti 2022 u karakterizua nga një valë intensive sulmesh kibernetike ndaj sektorëve me rëndësi kritike në Republikën e Shqipërisë, përfshirë edhe sistemin bankar. Sipas Bankës së Shqipërisë, disa prej këtyre sulmeve kanë rezultuar pjesërisht të suksesshme, por pa shkaktuar dëme të mëdha. Banka vëren se në tërësi situata e sigurisë kibernetike në sistemin bankar ka vijuar të mbetet nën kontroll dhe pa incidente të materializuara.
“Sulmet kanë qenë dhe mbeten prezente drejt sektorit bankar, i cili ka rritur gradualisht vigjilencën në drejtimin e sistemeve mbrojtëse dhe parandaluese, si edhe investiguese,” thuhet në raportin vjetor të BSH.
Vitin e kaluar, edhe platforma e shërbimeve publike online, e-Albania, u bë objekt e një sulmi të rëndë kibernetik, që shkaktoi pezullimin disamujor të ofrimit të shumë shërbimeve dhe mbi të gjitha solli një rrjedhje masive të të dhënave personale dhe sensitive të administruara nga institucionet publike.