Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit do të paguajë 42 mijë euro në muaj për të ruajtur ndërtesën e saj me rojë private. Procedura e prokurimit me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit është publikuar në buletinin e njoftimeve publike këtë të martë.
Sipas dokumentave të tenderit, AKSHI kërkon shërbimin e ruajtjes me roje private për 8 vendroje në ambientet e saj me afat 20 muaj. Fondi limit i tenderit është përcaktuar 91 milionë lekë ose 826 mijë euro. E thënë ndryshe 42 mijë euro në muaj ose 1400 euro në ditë vetëm për të ruajtur ndërtesën e AKSHI-t me roje private.
Kjo është një nga vlerat më të larta të shpallura ndonjëherë për shërbimin e ruajtjes së sigurisë fizike me roje private. Për krahasim, Spitali Shefqet Ndroqi e prokuroi të njëjtin shërbim për të njëjtën sasi rojesh me 11.3 mijë euro në muaj ose 4 herë më pak.
Tendera pa garë
Në vitin 2016, shërbimi i ruajtjes fizike të ndërtesës së AKSHI-t kushtonte më pak se 6 mijë e 600 euro në muaj, por që nga ajo kohë shifra është rritur me më shumë se 6 herë. Nën justifikimin e sigurisë, shumica e prokurimeve tek AKSHI-t gjatë viteve të fundit bëhen pa garë ose në mënyrë sekrete. Kjo çon në vlera të larta prokurimesh dhe cmimesh që duhet të paguajnë taksapaguesit. Kjo konfirmohet dhe nga krahasimet me prokurimet e ngjashme.
Për tenderin e fundit të sigurisë fizike, rezulton se AKSHI ka përcaktuar një fond limit 170 euro për një vendroje në ditë me tre turne. Tre muaj më parë, Drejtoria e Shërbimit Spitalor Librazhd çeli një prokurim identik për ruajtjen e ambienteve të spitalit të Librazhdit dhe Përrenjasit, ku kërkohej shërbim për dy vendroje fizike me tre turne dhe monitorim me kamera 24 orë për dy vendroje të tjera. Kostoja mesatare për vendroje me tre turne 53.6 euro në ditë ose 3.2 herë më pak.
Diferencat stratosferike në shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë fizike në institucionet e ndryshime shtetërore shtron nevojën për standardizimin e kostove të këtij shërbimi me qëllim që mos të ketë më prokurime si ky i AKSHI-t ku qytetarët do të paguajnë 42 mijë euro në muaj vetëm për të ruajtur ndërtesën e këtij institucioni.