27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Lajme nga vendi

Nis kompesimi i kontributeve për 30 mijë punonjës

Bizneset në fushën e manifakturës dhe bujqësisë mund të aplikojnë në portalin e-Albania për të marrë kompesimin e rritjes së sigurimeve për çdo punësuar që kanë me pagë minimale në borderotë e tyre. Sipas vendimit të qeverisë, çdo biznes në manifakturë dhe bujqësi do të përfitojë 1674 lekë në muaj ndihmë nga qeveria për çdo të punësuar që kanë me pagë minimale. Sipas qeverisë, këtë masë pritet të përfitojnë më shumë se 30 mijë punonjës në shkallë vendi.

Pagesa prej 1674 lekësh jepet për të kompesuar efektet që ka rritja e pagës minimale në rritjen e kontributeve që duhet të paguajë biznesi për të punësuarit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se duke tashmë në e-Albania është shfaqur rubrika e aplikimit për kategoritë që përfitojnë kompesimin dhe bizneset duhet të nisin aplikimet për të përfituar kompesimin.

Qeveria ka ngarkuar drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare te Punësimit dhe Aftësimit si përgjegjëse për ndjekjen e procesit të aplikimit dhe subvencionimin e kategorive të biznesit që janë të përcaktuara në VKM dhe udhëzimin përkatës.

Sipas vendimit të qeverisë, bizneset do të përfitojnë kompesimin për të gjithë të punësuarit me pagë minimale që kanë pasur deri në dhjetor 2022. “Numri i të punësuarve me pagë minimale merret automatikisht nga sistemi. Më tej do të bëhet një verifikim nëpërmjet AKPA dhe drejtorisë së përgjithshme të tatimeve dhe më pas do të behet kompensimi”, tha ministrja e financave.

Qeveria e rriti rrogën minimale në shkallë vendi me 6 mijë lekë përnjëherë, nga 34 mijë lekë në muaj që ishte duke e çuar në 40 mijë lekë në muaj. Kjo masë rrit kontributet që paguhen për të punësuarit me pagë minimale, pasi tani pagesa e tyre nuk llogaritet më mbi pagën 34 mijë lekë, por mbi pagën 40 mijë lekë. Për të lehtësuar efektet negative, veçanërisht tek bizneset që janë në zinxhirin e ulët të vlerës së shtuar dhe që janë punë intensive, qeveria vendosi të kompesojë masën e rritjes së sigurimeve. Por që të përfitojnë këtë kompesim, bizneset nuk duhet të kenë detrime të papaguara në shtet si sigurime apo gjoba.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *