Nga data 1 qershor e këtij vitit të gjithë të punësuarit me pagë deri në 50 mijë lekë në muaj do të paguajnë zero tatim mbi pagën. Me miratimin e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat, ka hyrë në fuqi edhe heqja e taksës për pagat deri në 50 mijë lekë, e cila i shtrin efektet duke filluar nga data 1 qershor.
Sipas formulës së re, të gjithë ata që marrin një pagë më të vogël ose të barabartë me 50 mijë lekë në muaj u mbahen nga rroga vetëm kontributet e sigurimeve. Sipas te dhenave zyrtare nga Tatimet, jane me shume se 58 mije te punesuar me page nga 40 mije deri ne 50 mije leke ne muaj, te cileve u behet zero tatimi mbi pagen
Për pagat nga 50 mijë e 1 lek deri në 60 mijë lekë në muaj do të paguhet tatim mbi të ardhurat në masën 13 për qind të shumës mbi 35 mijë lekë. Kjo do të thotë se një punonjës me pagë 60 mijë lekë në muaj paguan tatim 13% * (60000-35000) ose 13% *25000 që është 3250 lekë në muaj.
Për pagat mbi 60 mijë lekë në muaj, tatimi është zero për fashën e rrogës deri në 30 mijë lekë, 13 për qind për fashën e rrogës nga 30 mijë deri në 200 mijë lekë dhe 23 për qind për fashën mbi 200 mijë lekë.
Ligji ekzistues i tatimit mbi të ardhurat përjashtonte nga tatimi pagat deri në 40 mijë lekë në muaj. Për pagat deri në 50 mijë lekë në muaj paguhej tatim sipas formulës së përshkallëzuar ku për 30 mijë lekëshin e parë taksa ishte zero, ndërsa për fashën e pagës nga 30 deri në 50 mijë lekë paguhej 13 për qind tatim.
Ligji i ri, që hyn në fuqi lehtëson tatimin për të gjitha kategoritë e pagave në intervalin nga 40 mijë lekë në muaj deri në 60 mijë lekë në muaj. Ndërsa për pjesën tjetër të pagave tatimi mbetet i pandryshuar.