27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Apartamentet e bregdetit shqiptar marketohen në Londër

Kërkesa e të huajve për të blerë prona në bregdetin shqiptar pritet të rritet më shumë në vijim, teksa agjencitë e huaja imobiliare kanë filluar të marketojnë në mënyrë agresive investimet në zonat bregdetare të Shqipërisë.

London Realty International, një agjenci imobiliare në Britaninë e Madhe do të zhvillojë në datën 15 maj në Londër një seminar ekskluziv me temë “Tregu i nxehtë i real estate-it në Sarandë.” Seminari online, në të cilin do të marrin pjesë, një rrjet i gjerë agjencish imobiliare do të ketë si qëllim të njohë investitorët britanike me mundësitë dhe përfitimet që ofron investimi në bregdetin shqiptar.

“Agjencia do të njohë pjesëmarrësit me përfitimet e mëdha të të investuarit në Sarandë, duke përfshirë çmimet e ulëta, vendodhjen strategjike, turizmin në rritje dhe klimën e favorshme” thuhet në njoftimin e seminarit.

Vitin e kaluar të huajt blenë mbi 300 milionë euro prona në Shqipëri. Sipas të dhënave që raporton Banka e Shqipërisë në Bilancin e Pagesave, krahasuar me vitin 2021 investimet e jo rezidentëve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri u rritën me 54 për qind. Kjo kërkesë e lartë po rrit me shpejtësi çmimet.

Agjencitë imobiliare vendase thonë se këtë vit çmimet e apartamenteve të reja në zonat rezidenciale të bregdetit jugor janë rritur deri në 40 për qind krahasuar më një vit më parë. Listën e kryeson veçanërisht Vlora dhe Saranda.

Në bregdetin e Adriatikut si Qerret, Durrës, Gjiri i Lalzi rritja e çmimeve duket më e përmbajtur, por sërish ajo është në nivel dyshifror rreth 20 për qind krahasuar me një vit më oparë. Ndërkohë që e njëjta tendencë vërehet edhe në zonat bregdetare të veriut. Agjencitë e pasurive të patundshme thonë se rritja e çmimeve po diktohet nga kërkesa e lartë, që vjen veçanërisht nga të huajt, por edhe rritja e kostove të ndërtimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *