Në datën 21 prill, anija “Syn Turais” u nis nga Porti Saroch në Sardenja me destinacion Maltën. Sipas dokumentave të kapitenerisë së portit të Kaljarit, anija ishte e ngarkuar me produktin “Propylene”. Por destinacioni i anijes ndryshoi. Në datën 24 prill anija së bashku me ngarkesën e saj mbërriti në Porto Romano.
Kompania IBGAS AG, lajmëroi Doganën për mbërritjen e anijes me 2 mijë e 126 ton ngarkesë. Por në letra e dorëzuara figuronte se produkti ishte gaz Propan dhe jo Propilen.
Sipas ligjit shqiptar, çdo mall që hyn në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të certifikohet para se të kryhet procedura e zhdoganimit. Institucioni që e bën këtë verifikim është Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial. Është ky institucion që kryen analizat, të cilat përcaktojnë llojin e produktit dhe karakteristikat e tij.
Në datën 24 prill, ISHTI kreu analizat e mostrës së marrë në anijen “Syn Turais” dhe në përgjigjen dërguar Doganës shkruan se produkti ishte propan duke i bashkangjitur edhe letrën e analizave të firmosura nga përgjegjësja dhe drejtori i laboratorit të ISHTI-t. Pas certifikimit nga ISHTI, Dogana vazhdoi me procedurën e zhdoganimit.
Shitje në treg
Letrat e zhdoganimit të anijes Syn Turais u falsifikuan. Në të vërtetë anija ishte e ngarkuar me propilen siç tregojnë dokumentat e kapitenerisë në Portin e Kaljarit dhe jo me propan. Edhe pse dy produkte të ngjashme, Propileni me Pronanin kanë dy kode të ndryshme doganore dhe trajtim të ndryshëm si ligjor ashtu dhe fiskal.
Propileni ka një taksë më të lartë dhe paralelisht është më i kufizuar në tregtim. Ky produkt nuk lejohet të përdorët e tregtohet në destinacionet që përdoret propani, siç janë furnizimi i automjeve apo përdorimi për ngrohje etj.
Por Propileni i shkarkuar nga anija Syn Turais tashmë është duke u tregtuar lirshëm në tregun shqiptar për të furnizuar automjetet apo për mbushjen e bombolave. Oligarkia.al ka mundur të shohë disa fatura shitje të kompanisë AV international Group, që është e lidhur ngushtë me IBGAS AG.
Fitime të paligjshme
Në tregjet ndërkombëtare, propileni ka një çmim më të ulët se sa propani. Kjo është dhe arsyeja se pse tregtarët tundohen që të blejnë propilenin edhe pse ai nuk lejohet të përdoret si karburant, për ta shitur në treg si propan.
Falsifikimi i dokumentave është një krim i rëndë. Por etja për fitime të paligjshme nuk ndalet para asgjëje. As para faktit që mund të rrezikojë shëndetin e qytetarëve. Dhe shteti mbyll sytë. Ndoshta për shkak edhe të zgjedhjeve, pasi duhen lekë për të financuar fushatën elektorale.