Ka dy Shqipëri sot. Njëra shfaqet në listën e 100 bizneseve me fitimet më të mëdha në vend. Kjo është Shqipëria e koncesionarëve, kontraktorëve të tenderave publike dhe ndërtuesve që ushqehen me toka publike dhe leje ndërtimi. Nëse sheh strukturen e bilanceve të tyre, pjesa dërrmuese kanë një të përbashkët. Pasuria e tyre nuk buron nga talenti sipërmarrës apo inovacionet në treg, por vjen kryesisht nga favoret e qeverisë. Kjo pra është Shqipëria e parë e qeverisë.
Shqipëria e dytë është shumë më e madhe në numër, por shumë më e ndrydhur në shifra dhe bilance. Kjo është Shqipëria e atyre që kërcejnë tallava me kryeministrin.
Këta nuk zotërojnë asete me vlerë qindra milionë euro. Nuk kanë koncesione dhe nuk marrin tendera nga qeveria. Nuk dinë as të ndërtojnë pallate apo hotele. Përkundrazi kur e do puna, këta nxirren nga banesat e tyre me kërbaç për t’i hapur rrugën ndërtimit të ndonjë pallati nga ata të parët. Por këta kërcejnë mirë tallavanë. Dhe një herë në katër vjet, Kryeministri ua plotëson dëshirën.
Në Romën e Lashtë ekzistonte një mekanizëm shumë efiçent, përmes të cilit elita shuante zemërimin e masave ndaj padrejtësive të mëdha dhe pabarazisë së thellë. Latinët e quanin Panem et Circenses. Sa herë që elita perceptonte se populli ishte i zemëruar shpërndante kaçile me miell për masat dhe organizonte lojra me gladiatorë. Që nga ajo mekanizmi nuk është se ka ndryshuar shumë.
Sa herë që afrojnë zgjedhjet lagjet e qyteteve gëlojnë nga asfalti që shtrohet papushim. Qeveria rrit rrogat, pensionistët marrin bonuse. Kjo është kaçilja me miell. Ah po. Ka një ndryshim me Romën e para 2 mijë viteve. Sot nuk ka më gladiatorë që vrasin njëri-tjetrin me shpata në arenë. Por ka cirk me tallava.
Këta të tallavasë ndoshta nuk e dinë, por fitimet dhe asetet e atyre të Shqipërisë së parë, zgjerohen mbi kurrizin e tyre. Ose ndoshta e dinë. Por këta janë populli. Dhe vetë e kanë thënë atë fjalën e mençur “sipas kokës, edhe festen”. Pikërisht këtë po bën dhe qeveria. Sipas kokës, po u vendos festen. Të parëve u jep koncesionet, tenderat, pasuritë publike dhe lejet e ndërtimit. Të dytëve kaçilen me miell një herë në katër vjet dhe tallavanë. Panem et Circenses.