Qeveria ka vendosur të tërhiqet nga trajtimi i privilegjuar fiskal i kompanive të IT-së, të cilat ushtrojnë veprimtari ekonomike për prodhimin apo zhvillimin e softëare-ve. Aktualisht këto kompani paguajnë një normë tatimi fitimi vetëm 5 për qind, ose 3 herë më të ulët se sa shkalla zyrtare. Por në ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat është përcaktuar se kompanitë e këtij sektori që krijohen pas datës 1 janar 2024 nuk e përfitojnë më këtë privilegj, ndërsa kompanitë ekzistuese do ta kenë të kufizuar në kohë.
“Për personat juridikë, të regjistruar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike për prodhimin apo zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin me normën 5% do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2025,” thuhet në dispozitën kalimtare të ligjit.
Tatim fitimi 5 për qind për kompanitë e sektorit të IT-së ka qenë një nga politikat më të debatuara fiskale të qeverisë. Ky privilegj është sulmuar veçanërisht nga organizmat ndërkombëtar. Disa muaj më parë OECD e klasifikoi taksën 5 për qind për kompanitë e IT-së në Shqipëri si një praktikë të dëmshme duke e klasifikuar si një mekanizëm për të shmangur taksat dhe që nuk ka asnjë përfitim për ekonominë apo qytetarët.
OECD, por edhe Bashkimi Europian parlajmëruan se nëse qeveria nuk do ta hiqte këtë privilegj fiskal, Shqipëria do të futej në listën e vendeve jo bashkëpunuese për regjimin tatimor.
Shkalla e tatim fitimit 5% për kompanitë në fushën e prodhimit dhe zhvillimit të softëare-ve, u miratua në vitin 2018 dhe nisi zbatimin në 2019. Afati i zbatimit të normës preferenciale parashikohej për 10 vjet, por presioni ndërkombëtar me sa duket e ka detyruar qeverinë të tërhiqet.
Taksa 5 për qind në sektorin e IT u shndërrua në një mekanizëm abuziv nga i cili përfitonin kryesisht shmangie taksash kompanitë që merrnin tenderat e AKSHI-t.