Fitimet e bankave shqiptare u rritën me më shumë se dy herë në tre muajt e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë raportoi se për periudhën janar-mars, bankat shqiptare regjistruan një fitim neto prej 6.8 miliardë lekësh ose rreth 61 milionë euro. Për tremujorin e parë të vitit të kaluar, fitimi neto pas taksave dhe zërave të tjerë të jashtëzakonshëm për sektorin bankar ishte 3.28 miliardë lekë.
Bankat duket se po përfitojnë nga rritja e normave të interesit, teksa e kanë përcjellë atë tek kreditë, por jo në të njëjtën masë tek depozitat. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat e sektorit bankar nga interesat u rritën në janar mars 2023 u rritën me 4.9 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke arritur në 19 miliardë lekë ose 172 milionë euro. Për të njëjtën periudhë, shpenzimet që bankat paguajnë për interesat e depozitave u rritën me vetëm 1 miliardë lekë ose gati 5 herë më pak në vlerë absolute.
Vitin e kaluar sektori bankar e mbylli vitin me një fitim neto prej 21.7 miliardë lekësh ose mbi 195 milionë euro me kursin aktual. Përmirësimi i treguesve financiar tregon se bankat po e shfrytëzojnë në favorin e tyre rritjen e normave të interesit në treg, duke e përcjellë atë me shpejt në segmentin e kredive, por në një mënyrë më të përmbajtur tek depozitat.