Ka një dilemë të madhe sot në Shqipëri. Dhe dilema është kjo; Çfarë është më e rëndë, paligjshmëria e Bordit të Transparencës apo rrënimi moral i Gjykatës Kushtetuese? E para buron nga e dyta, kurse e dyta vjen nga ekzistenca e të parit.
Sa herë që Bordi i Karburanteve merr vendim për të caktuar çmimin e naftës, aq herë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të ulin kokën nga turpi. Ose do të duhet t’u shpjegojnë qytetarëve se pse kur Bordi i Ushqimeve cakton çmimin e orizit është e paligjshme, ndërsa kur Bordi i Karburanteve cakton çmimin e naftës është e ligjshme?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi Bordin e Karburanteve dhe përmbysi parimin e precedentit krijoi precedentin antiligjor që në Shqipëri gjykatat mund të marrin dy vendime të kundërta për dy çështje identike. Kjo është shumë.
Në proceset që zhvillohen në gjykatat e niveleve më të ulëta, shpesh gjykatësit japin vendime duke u bazuar në vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, nëse natyra e çështjes është e njëjtë. Avokatët mbrojnë klientët e tyre po kështu. Por në këtë rast, cili do të merret si precedent? Vendimi që shfuqizoi Bordin e Ushqimeve apo vendimi që la në fuqi Bordin e Karburanteve.
Ka një parim në vendet demokratike, që vendimet e gjykatave nuk diskutohen, por zbatohen. Por ka dhe një parim tjetër ndoshta më të shenjtë se ky. Ai është llogaridhënia e institucioneve ndaj qytetarëve.
Funksioni i preçedentit gjyqësor është mbi të gjitha të garantojë drejtësi të paanshme dhe siguri juridike. Që në rrethanë të caktuara, qytetarët e dinë se ku qëndron ligji. Përtej kësaj, precedent ka dhe një rol po kaq të rëndësishëm. Ai cakton kornizën e ligjit duke kufizuar diskrecionin e gjyqtarëve në vendimarrje. Por kur precedent thyhet, ligji tradhëtohet.
Tani gjithkush ka të drejtë të pyesë; Cila ishte arsyeja që Gjykata Kushtetuese vendosi kundër vendimit të saj. Pati presion nga qeveria? U thye nga tregtarët e karburanteve. Apo u vetëofrua të thyhej dhe nuk arriti? E megjithatë përgjigja nuk ka rëndësi hiç. Në çdo rast, Bordi i Transparencës është turpi i Gjykatës Kushtetuese. Stare Decisis.