27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Kastrati ndërron drejtorin e aeroportit

Piervittorio Farabbi, një inxhinier aeronautike nga Italia do të jetë drejtori i ri i Aeroportit të Rinasit. Grupi Kastrati ka vendosur të ndërrojë administratorin e kompanisë Tirana International Airport duke liruar nga detyra Erinda Xhaferajn dhe duke e zëvendësuar atë me dy administratorë të rinj, italianin Farabbi dhe Marsida Pallkon.

I diplomuar në Politeknikumin e Milanos dhe i specializuar më pas në Universitetin e Floridas, Farabbi ka një karrierë të gjatë në menaxhimin e aeroporteve. Deri në vitin 2017 ai ka qenë drejtor i Aeroportit të Peruxhias, ndërsa më pas u emërua drejtor i përgjithshëm i Aeroportit Ndërkombëtar të Lamezia Terme në Kalabri.

Ndërkohë administratorja tjetër e emëruar, Marsida Pallko, më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës në Aeroportin e Kukësit. Sipas vendimit të ortakut, tashmë shoqëria koncesionare e aeroportit të Rinasit do të menaxhohet njëkohësisht nga dy administratorë dhe çdo vendim apo veprim i saj do të quhet i vlefshëm vetëm nëse miratohet nga të dy administratorët.

Ndryshimet në drejtimin e aeroportit të Rinasit vijnë pas bumit që po përjeton ky biznes. Vitin e fundit, numri i pasagjerëve që kaluan përmes Rinasit kapërceu shifrën 5 milionë vetë. Ndërkohë të dhënat paraprake nga bilanci, tregojnë se në vitin 2022, Tirana International Airport regjistroi një fitim prej 28 milionë eurosh nga 13 milionë euro që ishte shifra në vitin 2021.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *