27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Arbitrazh i ri 60 mln euro kundër Shqipërisë

Kompania Phoenix Petroleum ka paditur shoqërinë publike Albpetrol në gjykatën e Arbitrazhit duke kërkuar 60 milionë euro dëmshpërblim për prishjen e marrëveshjes koncesionare në vendburimin e Amonicës. Oligarkia.al ka mësuar se Phoenix Petroleum ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare për shpalljen e arbitrazhit dhe tani Avokatura e Shtetit pritet të çelë garën për të përzgjedhur studion që do të mbrojë shtetin shqiptar në këtë gjyq.

Ky është arbitrazhi i dytë brenda një periudhë një mujore kundër Shqipërisë me pretendime dhjetra milionë euro. Në prill këtij viti, një tjetër marrëveshje koncesionare përfundoi në arbitrazh. Kompania EMS që kishte me koncesion terminalin lindor në Portin e Durrësit paditi qeverinë shqiptare në arbitrazh duke kërkuar 40 milionë euro kompesim me pretendimin e prishjes së njëanshme të koncesionit.

Konflikti

Në shkurt të vitit 2013, qeveria miratoi marrëveshjen hidrokarbure ndërmjet Albpetrol dhe Phoenix Petroleum Gas për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimet e naftës Amonicë, Drashovicë e Pekisht – Murriz si dhe në vendburimet e gazit Panaja, Frakull, Povelçë, Divjakë, Ballaj-Kryevidh dhe Finiq-Karnë.

Por në vitin 2017 me urdhër të ish ministrit të Energjisë, Albpetrol e prishi marrëveshjen e koncesionit duke argumentuar se Phoenix nuk kishte përmbushur kushtet e kontratës dhe kishte krijuar detyrime të mëdha financiare ndaj shtetit. Pas prishjes së kontratës, vendburimet u morën sërish në zotërimin e Albpetrol, qe ne ate kohe drejtohej nga Endri Puka, por ky veprim u konsiderua si i paligjshëm nga Phoenix.

Vendimi për të shtetëzuar sërish vendburimet e naftës dhe gazit në atë kohë çoi dhe në një përplasje institucionale mes Albpetrol dhe Ministrisë së Energjisë nga njëra anë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore nga ana tjetër. Kjo e dyta kundërshtoi veprimet e Albpetrol për shtetëzimin e vendburimeve si të paligjshme.

Phoenix

Phoenix Petroleum është një kompani e themeluar në vitin 2011 nga tre ortakë, shoqëritë Otto Al dhe Albanian Energy Consortium si dhe një shtetas gjerman i quajtur Jurgen Weise.

Pas dy shoqërive të para qëndrojnë shqiptarët Naim Kasa dhe Isuf Berberi. Më vonë shoqëria ka ndërruar disa herë pronësi, por brenda të njëjtit grup. Aktualisht ajo rezulton me status të pezulluar dhe pronari i vetëm i saj është Isuf Berberi me 100 për qind të aksioneve.

I njëjti grup personash ka dhe një histori tjetër arbitrazhi me shtetin shqiptar për vendburimet e Cakranit dhe Gorishtit. Këto vendburime fillimisht iu dhanë kompanisë Stream Oil, por më pas ndërruan disa herë duar dhe përfunduan në pronësi tek GBC Oil me pronar Naim Kasën. Edhe këto burime u shtetëzuan nga Albpetrol për mospërmbushje të kushteve të kontratës. Por GBC e paditi Shqipërinë në arbitrazh dhe në vitin 2020, Gjykata vendosi që Shqipëria duhet t’a kompesonte kompaninë me 12.5 milionë dollar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *