27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Editorial Kryesore

Kuotimet në burse të hierarkisë së pagave në administratën publike!

Elivar Golemi 

Pasi kemi dëgjuar disa herë premtimin e qeverisë për rritjen e pagës mesatare nga 530 euro në 900 euro për të punësuarit në administratën publike, sot më në fund ky premtim u bë realitet për funksionarët e lartë të shtetit. U rrit paga bazë e Presidentit me 65%, paga e kryeministrit dhe kryetares së Kuvendit me 72%, paga e ministrit me 82% dhe paga e deputetit me 97%.

Pra një deputet, që kishte një pagë bazë prej 157 mijë lekë në muaj, tashmë do të ketë pagën bazë 310 mijë lekë në muaj, pa marrë në konsideratë përfitimet e tjera financiare të lidhura me pozicionin, si shtesa pagash, shpenzime karburanti, telefoni, banimi, dieta, etj.

Në fakt, çfarë e bën akoma më të diskutueshëm këtë rritje, është fakti se qeveria kishte propozuar të mos ndryshonin pagat e deputetëve dhe të ministrave, që nënkupton se në hierarkinë e propozuar të pagave, këta të fundit do të renditeshin të fundit, duke bërë që gjithë stafi drejtues dhe këshillues në ministri të përfitonte paga më të larta se një ministër (eprori) apo një deputet (ligjvenesi).

Ky propozim i qeverisë sigurisht nuk u pranua nga deputetët në komision, të cilët jo vetëm u indinjuan nga propozimi i qeverisë, por nuk pranuan as të mbanin të njëjtin “kuotim” ndaj pagës së presidentit (paga me e lartë në administratën publike), duke propozuar dhe miratuar në seancë një rritje të kuotimit në bursë të ministrave dhe deputetëve, për t’i dhënë dinjitetin dhe vlerësimin që i takon.

Çfare konstatohet në gjithë këtë procedurë?

Reformat e mëdha në Shqipëri bazohen në deshira të tipit “po sot si ke ndje” dhe aspak në analiza dhe studime krahasuese.

Kuvendi dhe komisionet janë kthyer në grupe pune ku një ministër mund të propozojë një ndryshim ligji “momental” me mendimin për ta rishikuar prapë pas disa muajsh, edhe në rastin kur ndryshimet e propozuara promovohen si reforma.

Ligji i buxhetit mund të ndryshohet disa herë gjatë vitit, sipas preferencave të ditës, dhe Kuvendi thjesht notifikon pa kërkuar llogari pse reforma të tilla të rëndësishme nuk janë të parashikuara në buxhet.

Ngjashëm si me profesionet e tjera, mbetemi në pritje që kryeministri të postojë në rrjetet sociale foto të ministrave dhe të deputetëve me pagat që kishin dhe pagat e reja të miratuara sot, bashkë me paketën e përfitimeve të tjera financiare.

Për transparencë me publikun, këta të fundit të përgatisin nga një mesazh të shkurtër falënderimi për qeverinë dhe kryeministrin, për rritjen e pagës të pamenduar ndonjëherë me parë, si dhe ta postojnë në rrjetet sociale gjithashtu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *