27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

AMF than tregun nga likuditeti për të financuar shpenzimet e personelit

Në vitin 2021, të ardhurat në buxhetin e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare arritën në 345 milionë lekë ose 3.1 milionë euro. Nga këto, institucioni rregullator i tregjeve financiare shpenzoi plot 270 milionë lekë për shpenzime personeli.

Të dhënat historike tregojnë se krahasuar me 4 vjet më parë, shpenzimet e personelit në AMF janë rritur me 60 për qind. E shprehur në vlerë, AMF në vitin 2021 shpenzoi për personelin gati 900 mijë euro më shumë se 4 vjet më parë, ku vetëm shpenzimet për paga janë rritur me mbi 520 mijë euro. Dhe kjo ngre një pyetje? A duhet institucionet rregullatore të thajnë likuiditetin e tregjeve që mbikqyrin për të shpenzuar para për personelin.

Buxheti i AMF financohet thuajse 100 për qind nga taksa mbi primet bruto. Aktualisht kompanitë e sigurimeve janë të detyruara që për çdo 100 lekë të arkëtuara nga primet, 1.5 lekë ta derdhin në buxhetin e AMF. Vite më parë taksa që përfitonte AMF ishte 0.5 për qind mbi primet bruto, por në vitin 2014 Parlamenti e ndryshoi ligjin dhe i dha të drejt AM-së që të marrë deri në 1.5 për qind të primit bruto si taksë nga shoqritë e sigurimeve. Dhe nga atëherë institucioni merr gjithmonë nivelin maksimal, pra 1.5 për qind.

Trefishimi i taksës që merr AMF në vitin 2014 dhe rritja e përvitshme e tregut të sigurimeve ka bërë që të ardhurat e këtij institucioni të rriten me ritme të larta nga viti në vit dhe tani buxheti ka kapërcyer shifrën 3 milionë euro. Të dhënat për vitin 2022, nuk janë bërë ende publike, por vlerësimet janë që shifra të jetë rritur edhe më shumë. Dhe tani AMF, pasi ka rritur shpenzimet e personelit me 60 për qind nuk di ku t’i ccojë më paratë që i merr tregut.

Kthim mbrapsht

Në mbledhjen e fundit, ashtu sikurse e detyron ligji, Bordi i AMF vendosi që t’u kthejë mbrapsht kompanive të sigurimit 48 milionë lekë ose 430 mijë euro nga të ardhurat e arkëtuara vitin e kaluar për shkak të sufiçitit në të ardhura. Por a duhet një institucion publik të mbledhë para nga tregu përtej nevojave për të financuar shpenzimet e personelit dhe ato operative?

Kompanite e sigurimeve thone se shifra prej gati 3 milionë euro që AMF i merr tregut përmes taksës 1.5 për qind është një shumë e konsiderueshme dhe krijon shqetësime në treg. Sipas tyre, pjesa që shoqëritë e sigurimit i paguanin AMF ishte dikur 0.5% dhe arrinte të financonte mjaft mirë buxhetin e rregullatorit.

Tani edhe pse tregu i sigurimeve është zgjeruar ndjeshëm krahasuar me atë kohë, AMF merr një taksë tre herë më të lartë. Kompanitë e sigurimeve thonë se taksa duhet të ulet, pasi në finale ajo rëndon mbi qytetarët. Sipas tyre, ky kontribut duhët te jetë pjesë e diskutimeve me shoqatën për masën dhe mënyrën e pagesës, pasi në finale taksa që financon AMF-në paguhet nga qytetarët dhe rrit kostot e tyre. Por AMF nuk pranon të diskutojë buxhetin e saj me kompanitë e sigurimeve duke marrë cdo vit nivelin maksimal të taksës, pra 1.5 për qind, edhe pse tregu është zgjeruar ndjeshëm. .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *