Agjencia Kombëtare e Informacionit do të shpenzojë 96 milionë euro këtë vit çka përbën rekordin historik të buxhetit që nga themelimi i këtij institucioni. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar, buxheti i AKSHI-t është rritur me 67 për qind ose gati 40 milionë euro më shumë.
Pas sulmit kibernetik gjatë vitit të kaluar, i cili paralizoi thuajse të gjithë infrastrukturën dixhitale të vendit, qeveria ka rritur ndjeshëm buxhetin për AKSHI-n. Sipas të dhënave të MF, këtë vit veç rritjes së fondeve që jep buxheti i shtetit, AKSHI do të përfitojë për herë të parë edhe 27 milionë euro financim nga jashtë, përmes Bankës Botërore.
Bum investimesh
Statistikat e detajuara tregojnë se buxheti i programuar i institucionit që qeveris sektorin e Teknologjisë së Informacionit ka shënuar rritje në të gjitha zërat. Por rritja kryesore vjen nga shopenzimet për investime, veçanërisht ato me financim të huaj.
Sipas MF, për vitin 2023 Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit planifikon të investojë 40 milionë euro, kur një vit më parë shifra e investimeve ishte vetëm 6 milionë.
Thuajse e gjithë rritja e investimeve vjen nga financimet e huaja. AKSHI planifikon të shpenzojë 27 milionë euro për investime me financim të huaj këtë vit, duke synuar të tërheqë financimin e Bankës Botërore, të miratuar vetëm pak javë më parë. Ndërsa investimet e brendshme do të rriten në 13 milionë euro.
Shpenzimet për mallra dhe shërbime rriten këtë vit me 10 për qind duke arritur në rreth 52 milionë euro, ndërsa rritje të konsiderueshme shënon edhe fondi i pagave.
Vitin e kaluar, buxheti i programuar i pagave për AKSHI-in ishte 3.2 milionë euro, ndërsa këtë vit shifra kërcen në 5.3 milionë euro.