Korporata Elektroenergjetike Shqiptare iu rikthye sërish shitjes së energjisë përmes ankandeve. Sipas njoftimit zyrtar, në ankandin e fundit, KESH shiti 33.6 mijë mega vat energji me çmim mesatar 59.39 euro për mega. Energjia lëvrohet për periudhën 31 Maj-4 Qershor.
Në të njëjtën ditë që u zhvillua procedura e KESH për shitjen e energjisë, çmimi mesatar në bursën e Hungarisë rezultoi 49 euro për mega vat, por ditën më pas u rrit në rreth 92 euro. Çmimet e energjisë kanë rënë ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, si pasojë e rritjes së prodhimit, por edhe kërkesës më të ulët për shkak të kushteve të buta atmosferike, por edhe kërkesës së dobët që vjen nga ngadalësimi i ekonomisë.
Në 5 muajt e parë të vitit KESH ka prodhuar sasi rekord energjie për shkak të rreshjeve massive që kanë rënë gjatë këtij viti. Një pjesë e kësaj energjie po shitet në ankand, por larg çmimeve të vitit të kaluar duke bërë që përfitimet për KESH të jenë relativisht të ulëta, në nivelin 35 milionë euro.
Dështon shkëmbimi
Më parë, KESH tendoi që ta depozitonte ose ta shkëmbente këtë sasi energjie, sipas një programi ku korporata do ta jepte energjoinë në datat 31 Maj-4 Qershor dhe do ta merrte mbrasht në në datat 11 deri në 30 qershor.
Por procedura e depozitimit dhe shkëmbimit dështoi pasi në garën e hapur nga KESH nuk u paraqit asnjë ofertë. Pas dështimit të kësaj procedure KESH hapi ankand për ta shitur energjinë.
Ndonëse Shqipëria ka zyrtarisht një bursë energjie, ky institucion nuk po bëhet ende plotësisht funksional. Deri tani të vetmit aktorë që kanë realizuar transaksione energjie brenda bursës janë kompanitë publike mes tyre.
Megjithatë gjatë ditëve të fundit në bursë janë anëtarësuar edhe 4 kompani private të tregtimit të energjisë. Ato janë Ener Trade sh.p.k, EZ-5 Energy sh.p.k, GEN-I TIRANA sh.p.k dhe ReNRGY Trading Group sh.p.k.
Këto 4 kompani private i bashkohen 5 shoqërive publike duke e çuar në 9 numrin total të anëtarëve në bursën shqiptare të energjisë elektrike. Sipas të dhënave zyrtare, një ditë më parë, në bursën shqiptare të energjisë u tregtuan rreth 4 mijë mega vat energji elektrike, por sërish këto ishin kryesisht shitje blerje mes kompanive shtetërore të energjisë.