27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Tre linja të dedikuara për autobusët elektrikë, hapet projekti 130 mln euro

Ministria e Infrastrukturës shpalli tenderin për të përzgjedhur konsulentin e projektit 130 milionë euro Green Transport Tirana. Projekti, i cili financohet nga qeveria gjermane dhe Bashkimi Europian synon ndërtimin e linjave të shpejta të autobusave elektrikë ne Tiranë. Qeveria gjermane do të disbursojë 50 milionë euro përmes GIZ dhe KFË, ndërsa pjesa tjetër financohet me grant të Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare.

Projekti parashikon ndërtimin e korsive të dedikuara për autobusët e shpejtë elektrikë, në tre linja kryesore të transportit në Tiranë, që janë Unaza, Tirana e Re dhe Kombinati. Korsitë do të jenë të pandërprera dhe do të shërbejnë vetëm për autobusët duke mos lejuar kalimin e mjeteve të tjera, por edhe këmbësorëve.

Sistemi i autobusave të shpejtë elektrikë do të operojë me zero emetime. Sipas planit, autobusat do të blihen nga fondet e disbursuara të GIZ dhe BE-së, ndërkohë që linjat do të operohen nga vetë Bashkia e Tiranës.

Konsulenti do të rekomandojë punimet civile që duhen kryer në rrugë për t’i përshtatur ato për sistemin e autobusëve të shpejtë. Po kështu ai do të përcaktojë vendet ku do të instalohen pikat e shpejta të karikimit të autobusve, qendrën e Menaxhimit dhe Informacionit si dhe eventualisht edhe ndërtimin e centraleve fotovoltaike që do të shpërbëjnë për të prodhuar energjinë e nevojshme për karikimin e mjeteve.

Aktualisht përmes transportit publik të Tiranës lëvizin rreth 9 mijë pasagjerë në orë. Por sistemi aktual i transportit urban ka probleme jo të vogla, veçanërisht vështirësitë e mjeteve për të lëvizur në korridoret e trafikut si dhe cilësinë e dobët të tyre. Projekti 130 milionë euro synon të ndërtojë një sistem modern transporti me autobusa të shpejtë elektrikë në tre linjat e përzgjedhura.  

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *