Leonard Boduri
Votimet e 14 majit ishin si votimet e vitit 1996, por “të rilindura”. Opozita u fut në garë pa komisionerë dhe pa numërues në gjysmën e vendit, si dhe fondet publike dhe koha televizive i shkuan fraksionit të vulës. Sulltani i Surrelit, nuk zhgënjeu as këtë herë me talentin e tij, duke risjellë personazhin e Aleks Xinxës (personazh tek filmi “Vendimi”) të luajtur me mjeshtëri nga aktori amator Enkelejd Alibeaj. Asnjë gjë e re nga fronti i Rilindjes, që mund të bëjë ndryshime kushtetuese me votat “e kërpëratës” dhe të Kujtim Gjuzit dhe as nuk pret njeri që t’i skuqet faqja Edi Ramës dhe të heqë dorë nga blerja e votave, përdorimi i patronazhistëve apo i bandave kriminale në procesin elektoral. Vesi del me shpirtin.
Në 27 vjet me demek demokraci, jemi në vend numëro, por me një përmirësim të lehtë: kemi kaluar nga rrahja me hu e deputetëve të opozitës, burgosja e gazetarëve dhe djegia e ndonjë gazete që kritikon pushtetin në vitin 1996 tek një “regjim i butë”, i kuruar dhe i pudrosur deri në detaje të imëta në vitin 2023. Rilindja nuk e sheh të nevojshme të burgosë apo të rrahë gazetarë, ajo komunikon drejtpërdrejt me pronarët. Më pas nëse ata nuk binden me të butë, sigurisht ka edhe forma më tërheqëse si p.sh. hedhja në erë me tritol që mileti të zërë mend.
I gjithë ky parashtrim është i nevojshëm për qytetarin e zakonshëm, i cili nuk ka si ta dijë se si ulërasin redaktorët e lajmeve korridoreve të televizioneve private, pas ndonjë anksese të ardhur nga Fiku i bashkisë. Kanë hak të uruarit se i fluturojnë menjëherë nga puna. Publiku është përsëri i painformuar që fondet e reklamave të kompanive private, nuk përcaktohen nga dora e padukshme e tregut (sipas Adam Smithit), por nga dora e padukshme e Endri Fugës, Ministrit të Propagandës. Qytetarët e zakonshëm nuk kanë si ta njohin këtë situatë, ata nuk kanë mundësi të njohin zhvillime të tilla, por dhe këtu ndalemi pak: Sali Berisha kurrsesi nuk mund të luajë rolin e të paditurit, ai me përvojën e tij të gjatë politike dhe me qytetarin digjital është shumë i informuar. Doktori di edhe më shumë se kaq, por në komunikim me qytetarët për fat të keq nuk ka qenë i vërtetë, nuk ka folur hapur dhe ka bërë një fushatë të zakonshme me “fitore blu” gjithandej. Por menjëherë pas disfatës elektorale ndoqi me përpikëri modelin e Lulzim Bashës: beteja sapo ka filluar!
Të djathtët i kanë dhënë shanse pa fund doktorit. Kryesisht për shkak të neverisë që kishin ndaj PPSH-së (tani PS-ja) demokratët i kanë mbyllur të dy sytë: edhe pas katastrofës së skemave piramidale të 1997-ës e kanë votuar doktorin, edhe kur bënte votime në PD dhe merrte si figurant Uran Butkën (njësoj siç bëri Rama më pas me Maqo Lakrorin) e kanë votuar përsëri doktorin, edhe kur la pasardhës Lulzim Bashën në PD prapë e pranuan vullnetin e doktorit. Edhe pasi e shpallën non-grata, veprim në bindjen time i orkestruar nga Rilindja, demokratët e treguan në zgjedhjet e 6 marsit vitin e kaluar se anëtarësia e PD-së është me doktorin. A ka më kuptim të mbështesim pa kushte doktorin edhe pas katastrofës elektorale të 14 Majit? A do t’i themi përsëri aferim doktorit, edhe pasi na premtoi se do ia zinte në grykë Edvinit votat e vjedhura?
A ka të drejtë doktori të kapet pas një neni të lodhur të statutit për të zhvilluar një proces votëbesimi, ashtu siç kapet i mbyturi pas fijes së barit? Të djathtët nuk kanë nevojë për një kryetar që të kapin vendin e dytë në zgjedhje, se vendin e dytë e kapin edhe pa kryetar fare. A mjaftojnë 500 mijë vota për të rrëzuar regjimin? A është në rritje opozita apo ka marrë tatëpjetën? Të djathtët duan një kryetar që të frymëzojë, nuk duan justifikime apo thirrje për revolucione imagjinare pas pushimeve verore. Emergjente është hapja e një procesi elektoral, pa asnjë kufizim dhe sigurisht jo të drejtuar nga Sali Berisha. Në Partinë Demokratike ka shumë personalitete si Aleksandër Meksi, Besnik Mustafaj, Jozefina Topalli, Genc Ruli, Artan Hoxha apo edhe Dashamir Shehi (i LZhK-së) dhe shumë e shumë të tjerë të djathtë, të cilët mund të japin garanci për zhvillimin e një procesi riformatimi të plotë të së djathtës në vend.
Doktori të mos ngrijë si Luli në karrige, por të krijojë kushtet për zgjedhje të brendshme gjithëpërfshirëse duke dhënë dorëheqjen si dhe të garojë (nëse dëshiron) në kushte të barabarta si të gjithë kandidatët e tjerë të mundshëm. Nuk mund të lihet jashtë këtij procesi grupi parlamentar, apo eksponentë që kanë mendim ndryshe nga doktori. Nuk mund të lihet jashtë dyerve Jorida Tabaku, Gazment Bardhi dhe nuk mund t’i mbyllet dera as Lulzim Bashës dhe as Enkelejd Alibeajt, këtë vendim mund ta marrë vetëm anëtarësia e PD-së dhe nuk mund të jetë një vendim personal i doktorit. Doktori duhet ta kuptojë se këmbanat këtë herë po bien për të dhe po bien fort.