27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Investigim Kryesore

Fondet e bujqësisë/ Si u kthye mbështetja për grumbulluesit në një skemë oligarkie

INA MEDIA 

Pikat e grumbullimit kanë marrë rreth 34 milionë euro nga fondet e bujqësisë, për t’u fuqizuar, por e kanë kthyer këtë mbështetje në një skemë oligarkie. Grumbulluesit kanë ngritur vetë ferma dhe sera, duke e monopolizuar këtë sektor kyç të bujqësisë dhe duke konkurruar fermerët e thjeshtë, prodhimet e të cilëve kalben në ara.

Julian Hoxhaj

Musa Molla, një fermer nga fshati Leminot i Maliqit, e preu pemëtoren, 2 dekada pasi i investoi të gjitha kursimet e emigrimit. Shkak, sipas tij, u bë abuzimi nga grumbulluesit, të cilët, jo vetëm nuk i kanë paguar ende miliona lekë për prodhimet, por edhe po i konkurrojnë.

“Është rasti i dytë, që digjem. Një pikë më mbajti 7 milionë lekë. Rasti dytë është “Kosta Fruit”, që ka bërë një krim, për mua”, – akuzon Musa Molla, 71 vjeç, që punon në plantacionin e mollëve së bashku me bashkëshorten, 69-vjeçare.

“Vitin e parë mora 56 milionë lekë. Më pas mora 20 milionë. Ai më mbajti 30 milionë lekë”, – tregon fermeri Musa Molla, që e ka çuar edhe në gjykatë grumbulluesin.

Fermeri akuzon se përplasja nisi, kur grumbulluesi, Kostandin Gjata, që zotëron edhe një fermë të tijën me mollë, nisi të bënte hile me cilësinë e frutave.

“Mollën time e kërkonin të gjithë. Unë e kisha dorëzuar te Kostandini dhe pas një jave më tha: “Hajde, merre, se nuk është shitur. Ajo ishte një mollë e dëmtuar”, – akuzon fermeri, duke aluduar se grumbulluesi i ka ndryshuar mollët, që ai kishte dorëzuar.

“Ai ka 7 hektarë mollë! Këta janë pesë-gjashtë grumbullues dhe po këta e caktojnë çmimin. Ne prodhojmë shumë dhe jemi të detyruar, që ta dërgojmë prodhimin te pikat”, – shprehet Musa Molla, i cili i referohet grumbulluesit “Kosta Fruit”.

Vetë biznesmeni Kostandin Gjata pranon se zotëron disa hektarë tokë dhe prodhon mesatarisht 200 tonë mollë në vit.

“Kosta Fruit”, një pikë grumbullimi e mollëve në rajonin e Korçës, që merret edhe me import- eksport, është një nga bizneset, që ka përfituar 53 mijë euro nga fondet e IPARD-it në formën e subvencioneve për ngritjen e magazinës së grumbullimit të frutave dhe perimeve. Por, biznesmeni Gjata mohon t`i ketë pará të pashlyera fermerit Musa Molla, madje pretendon se i ka dhënë një çmim edhe më të mirë se të tjerët.

Fermeri Musa Molla në intervistën për INA MEDIA-n

 

Njëjtë si Musai, qindra fermerë kanë ngecur në grackën e një konkurrence të pabarabartë dhe mungesës së një burse çmimesh, që vendosen kuturu nga vetë grumbulluesit. Të zhytur në një krizë të thellë, fermerët akuzojnë se fondet e IPARD-it po përthithen nga një duzinë biznesesh të pikave të grumbullimit, të cilat, në vend që t`i ndihmojnë fermerët, e kanë kthyer procesin e grumbullimit dhe caktimin e çmimeve në një skemë oligarkie.

Si zhduken milionat e subvencioneve

Në qarkun e Fierit, që njihet edhe si hambari i produkteve bujqësore (Lushnjë, Divjakë dhe Roskovec), janë 35 pika grumbullimi, që kanë përfituar rreth 9 milionë euro subvencione direkte nga fondet e IPARD-it. Mbështetja e pikave të grumbullimit ka qenë një prioritet në skemën e fondeve të bujqësisë dhe në rang vendi janë dhënë 34 milionë euro për ngritjen e tyre. Këto fonde, të cilat jepen në formë granti (pra i falen përfituesit) nga Bashkimi Europian, janë kthyer në një “koshere mjalti” për shumë biznese.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, subvencioni për pikat e grumbullimit bëhet, me qëllim që ato të lidhin marrëveshje me fermerët, duke iu blerë prodhimet bujqësore. Por, realiteti është krejt tjetër. Fermerët akuzojnë se e gjithë skema po keqpërdoret dhe grumbulluesit janë kthyer në konkurrentë. Sipas tyre, tokat e mbetura djerrë, për shkak të emigrimit apo dështimit të shumë fermerëve në bujqësi, po blihen apo po merren me qira nga pronarë pikash grumbullimi, të cilët kanë prioritet të shesin produktet e tyre dhe jo të fermerëve.

Gentian Ziu, një fermer i vogël, tregon se mezi ia del të mbijetojë. Sipas tij, në zonën e Roskovecit janë të paktën 6 subjekte, pika grumbullimi, të cilat kanë gjithashtu edhe disa hektarë me sera. Ai akuzon se këto subjekte po i dëmtojnë fermerët e zonës.

“Po na mbysin pikat e grumbullimit. Një subjekt ka deri në 4-5 hektarë sera, ndërsa të tjerët kanë deri në 6 dynymë. Këta nuk mendojnë për fermerin”, – akuzon fermeri, Gentian Ziu.

Grumbulluesit janë kthyer në shqetësim edhe për Ilir Malkajn, i cili kultivon disa dynymë sera me perime.

“Janë disa grumbullues, që kanë marrë toka me qira dhe mbjellin bostane, grurë etj., kanë sera. Kjo është konkurrencë për ne”, – thotë më tej Iliri.

Vetë grumbulluesit pranojnë se zotërojnë edhe sera, por mohojnë se po iu bëjnë konkurrencë fermerëve të zonës.

“Rinaldi SHPK” ka përfituar rreth 360 mijë euro për ngritjen e një pike grumbullimi në Roskovec. Administratori, Rrapi Hazizi, pranon se edhe ai vetë ka disa sera, por, pikërisht për të shmangur konkurrencën, nuk i mbjell me të njëjtat kultura si fermerët.

“Ndonjëherë kemi probleme me fermerët, sepse, kur vjen puna, la pa vjelë serën time, se duhet të çoj arkat te fermerët. Këtë vit i mbolla me lakër serat e mija, sepse nuk dua të zë arkat për fermerët”, – u shpreh Rrapi Hazizi për INA MEDIA-n.

Sajmon Hatia, një ndër grumbulluesit më të mëdhenj të Myzeqesë, ka përfituar plot 1.3 milionë euro në formën e grantit nga IPARD për të ngritur një pikë grumbullimi në Fier dhe një tjetër në Roskovec. (Dy herë është shpallur fitues si individ dhe një herë si “Hatia Group”, që sipas QKB-së, rezulton të jetë administrator i saj).

Përveçse një nga grumbulluesit më të mëdhenj në vend, Hatia zotëron edhe vetë 2 hektarë sera, por që së fundmi thotë se i ka dhënë me qira. Ai mohon të ketë konkurrencë mes tyre dhe fermerëve, madje sipas tij grumbullues dhe fermerë janë në të njëjtën varkë, duke ngritur si shqetësim bursën e çmimeve.

“Kam pasur, por nuk i mbjell më për efekt punëtorësh, nuk ia vlen, kam dy vite. I kam dhënë me qira tani”, – u shpreh Sajmon Hatia.

“Të dyja palët ecim në të njëjtin drejtim, por nuk kemi arritur ta gjejmë ende rrugën e përbashkët. Të paktën çmimet të jenë javore. Ia kemi kërkuar vendosjen e një burse edhe Ministrisë së Bujqësisë, pasi ne vetë nuk e kemi këtë fuqi”, – shpjegon grumbulluesi Hatia.

Njëjtë, edhe Eno Jergeni, që zotëron “Vegetal Eksport”, thotë se është eksportues dhe grumbullues, por njëherazi edhe fermer. “Vegetal Eksport” përfitoi rreth 51 mijë euro për ngritjen e një pike grumbullimi në Fier. Edhe Jergeni mohon që ata po deformojnë tregun. Sipas tij, “Vegetal Eksport” ka të kontraktuar qindra fermerë, të cilëve iu mbledh prodhimet e serave, që më pas shkojnë për eksport.

“Nuk kemi lidhje me këtë gjë. Ne mbjellim pak edhe vetë, por kryesisht i kemi nga fermerët. Janë rreth 400 fermerë, që i kemi kontraktuar. Fillimisht kemi filluar kultivimin vetë dhe jemi përhapur edhe me fermerë të tjerë. Kemi mbi 50 hektarë sera”, – sqaron ai.

Megjithatë, fermerët këmbëngulin se, jo vetëm i konkurrojnë, por pikat e grumbullimit as nuk i paguajnë në kohë, duke iu ngelur miliona lekë borxh fermerëve.

Gentian Ziu i ka shitur prodhimet e tij prej muajsh, por ende nuk i ka marrë lekët nga pikat e grumbullimit. Sipas tij, në këtë situatë janë shumica e fermerëve të zonës. Të zënë në “çark”, fermerët thonë se nuk kanë mekanizma për t`i detyruar grumbulluesit që t`iu shlyejnë pagesat e prapambetura.

“Janë rreth 12 milionë lekë, që nuk i kam marrë nga pikat e grumbullimit. Të gjitha pikat, që kanë marrë fonde nga IPARD dhe AZHBR, janë gropë. I kanë fermerët pa likuiduar”, – shpjegon Gentian Ziu për INA MEDIA-n.

Julian Harizi është një tjetër sipërmarrës, që ka në pronësi pikën e grumbullimit “Erioni Agro” në Roskovec. Ai ka përfituar plot 905 mijë euro nga fondet e IPARD-it, po ndryshe nga denoncimi i fermerëve ai thotë se grumbulluesit gjenden mes dy zjarresh.

“Ne jemi në mes të dy zjarreve. Fermeri, po solli produktin te ne, mori faturën, do lekët. Sot, nesër, apo pas 1 muaji, klientit nuk i pëlqen produkti, kërkon skonto, fermeri nuk pranon skonto dhe pikat e grumbullimit janë në mes të dy zjarreve, janë drejt falimentimit”, – thotë ai.

“Fitimi është shumë i vogël dhe rreziku është shumë i madh”, – thotë më tej Harizi, duke shtuar se ai vetë nuk ka sera në pronësi të tij, por të afërmit e tij, po.

Gjatë dekadës së fundit më shumë se 205 milionë euro janë dhënë si mbështetje direkte për fermerët, shumica nga Bashkimi Europian, si subvencione për bujqësinë e një pjesë më e vogël nga buxheti i shtetit në formën e skemave mbështetëse. Pikat e grumbullimit kanë dy funksione kryesore: së pari, shërbejnë si tregje, ku fermerët shesin prodhimin e tyre te grumbulluesit dhe, së dyti, shërbejnë edhe si frigoriferë për magazinimin e prodhimeve.

 

Kontrata pa kushte

Vetëm në qarkun e Fierit janë disa grumbullues, që kanë përfituar grante deri në 1 milion euro nga fondet e IPARD-it, pra iu falen, por kontratat, që lidhen, kur i përfitojnë këto grante, nuk kanë asnjë klauzolë, që rregullon marrëdhëniet e tyre si përfitues subvencionesh publike me fermerët.

“Pavarësisht se kanë marrë fonde në formë granti, pra të pakthyeshme, ata nuk kanë asnjë pikë në kontratë që t`i detyrojë apo t`i orientojë se si duhet të sillen në raport me fermerët! Abuzimet për mospagesa apo grumbullimi i mallit pa fatura në kohë reale sjell edhe pasoja. Nëse pika, pavarësisht se ka 1 javë, që e ka blerë produktin te fermeri, nuk arrin ta shesë, ia kthen atij përsëri”, – shpjegon eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli.

Vetë Zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë sqaron se kriteret për përfitim i hartojnë autoritetet shqiptare, ndërsa BE vetëm i miraton.

“Kriteret e përgjithshme të përshtatshmërisë për përfituesit IPARD janë pjesë e programit IPARD, të hartuar nga autoritetet shqiptare dhe të miratuar nga BE-ja”, – thuhet në një përgjigje me shkrim të Zyrës së Delegacionit të BE-së.

Sipas kësaj Zyre, që ka dhënë deri më tani miliona euro në formën e granteve për mbështetjen e bujqësisë, subjektet përfituese nga fondet e IPARD-it duhet të kontrollohen nga autoritetet ligjzbatuese në vend, për të shmangur sjelljet monopoliste në treg.

 

Emrat e pikave të grumbullimit në qarkun e Fierit dhe fondet e përfituara

“BE-ja dhe autoritetet kombëtare monitorojnë zbatimin e projekteve investuese, të financuara nga programi IPARD. Është detyrë e Autoritetit të Konkurrencës të mbikëqyrë, që aktorët e tregut të mos bashkëpunojnë dhe të mos përfshihen në praktika monopoliste”, – thotë më tej Zyra e BE-së në Tiranë.Ministria e Bujqësisë thotë se nuk mund të ndërhyjë mes fermerëve dhe pikave të grumbullimit, pasi do të cenonte parimet e tregut të lirë.

“Detyra dhe përgjegjësia e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural është të ndërtojë politika publike, që të përmirësojnë cilësinë e prodhimit, të rrisin standardet e sigurisë ushqimore, si dhe të rrisin nivelin e konkurrueshmërisë së prodhimit të fermerëve”, – thotë ministria.

 

Kaos me tregun dhe çmimet

Fermerët i dorëzojnë produktet e tyre kuturu, pa e ditur çmimin. Grumbulluesi nuk jep çmim, ditën që fermeri dërgon prodhimin, me pretendimin se nuk e di se sa shitet në eksport. Fermerët ngrenë shqetësimin se, jo vetëm që pikat e grumbullimit e caktojnë çmimin e shitjes disa ditë, pasi ata e kanë dorëzuar mallin, por askush nuk iu jep as faturë, në momentin që e dorëzojnë produktin.

“Problem kemi marrjen e lekëve të produkteve që shesim dhe jo shitjen e produktit. Çmimet i vendos, ai që blen, grumbulluesi, por shumë herë marrin edhe pa çmime”, – thotë Malkaj.

Të njëjtin ngërç ka edhe Gentian Ziu, i cili ankohet se askush nuk punon me faturë.

“I kanë vënë shqelmin fermerit, pasi edhe faturë nuk lëshojnë, kur dorëzojmë prodhimet”, – akuzon fermeri Ziu.

Thuajse të gjitha pikat e grumbullimit operojnë pa kontratë me fermerët, duke i ekspozuar këta të fundit përballë rreziqeve, që një produkt bujqësor ta shesin me humbje. Për fermerët kjo situatë, ku ata dorëzojnë djersën e tyre “symbyllazi”, pasi punohet pa kontratë, pa çmime dhe në shumë raste edhe pa faturë, e ka deformuar tregun, duke sjellë çmime abuzive. Ata kërkojnë që qeveria të ndërhyjë, për ta përmirësuar këtë anomali.

“Pikat e grumbullimit janë bërë miliardere në kurriz të fermerëve. Qeveria duhet të vendosë marzhe fitimi për pikat”, – thotë Alban Çakalli, i cili thekson se disa grumbullues në Berat dhe në Lushnjë, duke abuzuar, kanë përfituar miliona euro.

Të tjerë sugjerojnë ndërhyrje më drastike, siç është aplikimi i një skemë të ngjashme si “minimumi jetik”.

“Autoritetet shtetërore duhet të nxjerrin kostot reale të produktit, e thënë ndryshe si “minimumi jetik”, për të shitur fruta-perimet dhe nën këtë çmim, nëse tregu bie, atëherë shteti duhet të kompensojë nëpërmjet një fondi emergjence për mbrojtjen e prodhimit. Kjo do të bënte që fermerët minimalisht të marrin në sezone të vështira kostot e investimit”, – thotë eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli.

Sipas ekspertit Alban Çakalli, kjo anomali, ku fermerët nuk marrin dot as kostot e prodhimit, ndodh vetëm në Shqipëri. Si pasojë, grumbulluesit janë pasuruar në kurriz të fermerëve, duke mos shlyer detyrimet e prapambetura.

“Çmimi duhet të përcaktohet në bazë të fitimit të fermerëve. Çmimi nuk duhet të jetë më pak se 25% e kostos për kg, për domatet p.sh. Këtu ndodh ndryshe, çmimin nuk e përcakton fermeri, por grumbulluesi, këtij nuk i intereson se fermeri ka pasur kosto”, – shprehet Alban Çakalli, fermer dhe njëherazi një nga ekspertët aktivë në mbrojtje të të drejtave të fermerëve.

 

Pse mungon bursa e çmimeve?

Shqipëria nuk ka ende një bursë për çmimet, që do të shërbente si një digë mbrojtëse për fermerët. Fermeri Gentian Ziu këmbëngul se, vendosja e një burse çmimi do ta ekuilibronte disi tregun kaotik të fermerëve.

“Duhet të bëhet urgjentisht bursa e çmimeve. Çdo pikë grumbullimi duhet të ketë tabelë me çmimet”, – shprehet Gentian Ziu nga Roskoveci, i cili është i bindur se, nëse do të funksiononte ky mekanizëm, do t`i jepte fund abuzimeve.

Mospasja e një burse çmimesh apo së paku e një çmimi javor i ka penalizuar fermerët në realizimin e kontratave me jashtë.

“Unë kam pasur kontakte me tregtarë nga jashtë dhe më thonë: “Na jep një çmim javor për 15 trajlera”. Këtu asnjë pikë s`e bën dot këtë, sepse çmimi lëviz me disa lekë dhe mund të pësosh 10 milionë lekë humbje për një trajler brenda javës”, – rrëfen pasiguritë me çmimin Gentian Ziu.

Grumbulluesit pranojnë se mungesa e bursës është penalizuese edhe për ta, ndërsa fermerët kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të gjejë mekanizma dhe të ndërhyjë për t’i dhënë fund këtij abuzimi.

“Jemi në dorë të eksportuesve pa ndërhyrjen e shtetit. Po ju marr një shembull, Greqinë. Çdo shtet ka bursën e vet të fruta-perimeve, e ka dhe Greqia”, – thotë Alban Çakalli.

Nedrete Arapi, që zotëron një nga pikat më të mëdha të grumbullimit në Lushnjë, përfituese e fondeve IPARD, tregon se ajo i referohet çmimeve të tregut në Maqedoninë e Veriut.

 “Unë aktualisht po grumbulloj lakrën sallatë për në Lituani. Unë do të pyes për çmimin në Maqedoninë e Veriut. I them fermerit, që atje është p.sh., 35 cent. Unë në Shqipëri do ta jap me 30 cent, se do llogaris dhe rrugën, plus emrin që ka Maqedonia e Veriut”, – shprehet grumbulluesja nga Lushnja për INA MEDIA-n.

“Mungesa e bursës është penalizuese edhe për ne”, – shprehet Nedrete Arapi.

“Bursa do të ishte ndihmë për grumbulluesit dhe fermerët, por këtë ta bëjë shteti. Të vendosen çmimet, duke pasur parasysh atë që ndodh në rajon”, – thotë Rrapi Hazizi, një tjetër grumbullues.

E pyetur për këtë çështje, Ministria e Bujqësisë thotë se asnjë nga vendet e rajonit nuk ka bursë të çmimeve, ndërsa një ndërhyrje nga ky institucion do të cenonte rregullat e tregut të lirë.

“Rregullimi i çmimeve të blerjes dhe shitjes mes palëve ndodh sipas parimeve të funksionimit të tregut të lirë. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor asnjë nga shtetet nuk ka një bursë çmimesh të produkteve bujqësore”, – i tha nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim Ministria e Bujqësisë INA MEDIA-s.

Por, krejt ndryshe nga sa pretendon Ministria e Bujqësisë, Bashkimi Europian ka miratuar një rregullore, të cilën Investigative Network Albania e disponon të plotë. Në më shumë se 600 faqe, sipas këtij dokumenti, shteti merr rol rregullator dhe krijon një Organizatë të Përbashkët të Tregjeve për prodhimet agro-blegtorale në vendet e Bashkimit Europian. Konkretisht, në rregulloren e Bashkimit Europian përcaktohet qartë se, sa herë që ka anomali në treg, shtetet anëtare ndërhyjnë me politika subvencionuese për fermerët, në mënyrë që të ruhet zinxhiri i prodhimit. Gjithashtu, për të ndihmuar fermerët, vendet e BE kanë krijuar mekanizma të tillë si: mbledhja e prodhimeve bujqësore, që mbeten stok apo pa shitur, të cilat shpërndahen më pas për nevoja të popullatës vulnerabël, shkollave, çerdheve, qendrave sociale, spitaleve etj.

Subvencionet e Kosovës për bujqësinë në 4 vitet e fundit

Këtë rregullore të BE po e përshtat tërësisht dhe Kosova, e cila në vitin 2022 bëri të mundur hartimin e draftit të plotë dhe dërgimin e tij në qeveri për miratim.

“Vendi ynë ka qenë dhe është i përkushtuar që këtë fushë ta rregullojë me ligj të veçantë. MBPZhR-ja në vitin 2022 në planin e punës e ka paraparë që të përgatisë Koncept-Dokumentin për Organizimin e Tregut të Përbashkët për Produktet Bujqësore, të cilin e ka përfunduar; i njëjti është aprovuar në qeverinë e Republikës së Kosovës”, – tha për INA MEDIA-n Ministria e Bujqësisë në Kosovë.

 

Një fjalë në ligj do t`i shpëtonte fermerët

Shqipëria ka një ligj të miratuar në vitin 2014, i cili parashikon zgjidhje “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore, tregtare”, por, për shkak të mangësive, në qershor të vitit 2022, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, depozitoi në Kuvend një draft për ta amenduar këtë ligj. Deputeti socialist kërkonte që në këtë ligj të bëhej vetëm një ndryshim në nenin 3, duke riformuluar pikën 1, duke shtuar edhe “prodhuesit bujqësorë”. Ky ligj u mbajt peng në parlament deri në muajin dhjetor 2022, ndërsa aktualisht ligji ka kaluar diskutimet në komision dhe pritet të shkojë në Kuvend për miratim. Miratimi i këtij amendamenti do të nxiste dhe më shumë formalizimin e prodhuesve bujqësorë dhe blegtoralë, si dhe formalizimin e çdo transaksioni në tregjet e këtyre produkteve. As grumbulluesit nuk janë kundër miratimit të këtij amendamenti, ndërsa Nedrete Arapi kërkon që afatet për shlyerjen e fermerëve të jenë të paktën 90 ditë dhe jo 50, sa parashikon ligji aktual.

“Pikat e grumbullimit në pikun e prodhimit mbledhin mall pa çmim dhe e shesin mallin, sa iu do qejfi atyre. Për më tepër ka pika grumbullimi, që ua kanë marrë prodhimin fermerëve dhe kanë vite që s`iu kanë dhënë lekët e punës të tyre dhe shteti nuk i kontrollon”, – shprehet Dashamir Çela, një fermer, që pasi dështoi të përfitonte nga fondet e IPARD-it, e shiti fermën dhe tashmë ndodhet në emigrim.

(Artikulli origjinal: https://ina.media/?p=7140&fbclid=IwAR18qdUk2ojhCEoP7LR8V_VbW5gI9qhNgcaFhpLMB1qpWW4RFQfAPk5R9NI )

Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit. / This article is part of a project that is financially supported by the Public Relations Office of the US Embassy in Tirana. The opinions, findings, conclusions, and recommendations expressed are those of the author(s) and do not necessarily represent those of the Department of State.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *