27 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria shkrin bordin e karburanteve

Më shumë se një vit pas krijimit të tij, qeveria duket se ka vendosur më në fund të shfuqizojë bordin e karburanteve. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e fundit vendimi që shfuqizon Bordin e Transparencës për naftën dhe hidrokarburet.

“Me fillimin e krizës qeveria ngriti një bord të transparencës për kontrollin e çmimeve. Ne vendosëm të përcaktojmë disa marzhe fitimi me qëllim limitimin të efektit të spekulimeve të hidrokarbureve dhe të limitonim abuzimet. Sot ne vendosëm, për shfuqizimin e bordit të hidrokarbureve dhe situatës së veçantë në këtë treg.”- tha ministrja e financave Delina Ibrahimaj.

Bordi i Transparencës u ngrit në 12 mars të vitit të kaluar pas krizës së karburanteve, që shkaktoi lufta në Ukrainë. Ngritja e këtij bordi është shoqëruar me polemika dhe akuza të shumta, jo vetëm politike por edhe nga ekspertët, të cilët shpesh e kanë cilësuar si një instrument me të cilin qeveria dëmton qytetarët.

Ngrijnë taksat për eksportuesit

Ministrja e Financave bëri publike edhe masat e miratuara nga qeveria për të ndihmuar kompanitë eksportuese nga humbjet që u ka shkaktuar zhvlerësimi i fortë i euros ndaj lekut.

Masa më kryesore është ajo që ngrin pagesën e tatim fitimit nga kompanitë eksportuese deri në marsin e vitit të ardhshëm.

“Subjektet që janë eksportues dhe eksportojnë mbi 70% të nuk do parapaguajnë këstet e tatim fitimit deri në mars kur do të bëjnë bilancin,“ njoftoi Ibrahimaj.

Sipas saj kjo masë vjen pas takimeve që qeveria ka patur me eksportuesit.

“Ajo që ka ndodhur është që ato biznese që punojnë me kontrata porositëse, tani gjenden në situatën ku shpenzimet i kanë në lekë dhe të ardhurat në euro ndaj qeveria vendosi të ndërhyjë,” përfundoi ministrja e Financave.

Ndërkohë që një tjetër masë në ndihmë të kompanive eksportuese është dhe rimbursimi i TVSH-së brenda tre ditëve nga kërkesa, ndërkohë që afati ligjor është 30 ditë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *