Një delegacion me zyrtarë të lartë italianë ka anuluar vizitën në Shqipëri për shkak se është lënë rrugëve nga kompania ajrore Wizz Air. Delegacioni i përbërë nga disa kryetarë bashkish dhe funksionarë të tjerë të rajonit të Kalabrisë ka mbetur 24 orë në aeroportin e Barit duke u detyruar të anulojnë vizitën e programuar në Tiranë për shkak të anulimit të fluturimeve nga Wizz Air.
Vizita e programuar kohë më parë, parashikonte takime me zyrtarë të lartë në Tiranë për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe rajonit të Kalabrisë. Sipas programit delegacioni italian kishte prenotuar udhëtimin me avionin e së hënës pasdite të linjës Bari-Tiranë. Por fluturimi është shtyrë fillimisht për një orë dhe pas shtyrjeve të vazhdueshme, në mesnatë Wizz Air ka njoftuar anulimin e tij duke i lënë pasagjerët në aeroport pa asnjë ndihmë.
Të martën në mëngjes është përsëritur e njëjta situarë. Udhëtimi është shtyrë disa herë, derisa delegacioni italian është detyruar të anulojë vizitën në Tiranë. Pas këtyre ngjarjeve, rajoni i Kalabrisë njoftoi se do të bëjë padi administrative ndaj kompanisë Wizz Air duke kërkuar dëmshpërblim edhe për dëmin e imazhit të shkaktuar nga anulimi i vizitës.