Ministria e Financave ka shpallur tenderin për përzgjedhjen e zhvilluesit të Zonës Teknologjike dhe të Zhvillimit në Koplik. Sipas njoftimit zyrtar tenderi do të zhvillohet në datën 10 korrik dhe kompania fituese do të përzgjidhet sipas kritereve të paracaktuara të vlerësimit, ku kapaciteti financiar i kompanisë ka 40 për qind të pikëve, ndërsa propozimi teknik 25 për qind.
Kompania fituese do të ketë të drejtën e përdorimit të Zonës për 99 vjet, ndërsa toka ku do të ndërtohet projekti i ofrohet falas nga shteti. Pas ndërtimit të zonës, kompania zhvilluese do të vjelë tarifat nga kompanitë që do të zhvendosin aktivitetin e tyre brenda sa.
Zona e Teknologjisë dhe Zhvillimit ka një sipërfaqe prej 61 hektarësh. Kjo sipërfaqe është shpallur si Zonë e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik nga qeveria që në vitin 2016. Sipas vendimit të qeverisë, pozicioni gjeografik e bënë këtë zonë një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të rajonit, pasi ndodhet në afërsi të porteve me të mëdha në rajon si Tivari, Trieste, Koperi dhe Spliti.
Lehtësitë fiskale për zhvilluesin
Kompania që do të zhvillojë zonën përjashtohet nga pagesa e 50 përqindëshit të normës së tatimfitimit për 5 vitet e para nga fillimi i veprimtarisë së zones. Po kështu asaj i njihen si shpenzime të zbritshme, të periudhës tatimore, 20 për qind e investimeve vjetore, pavarësisht nga shumat e amortizimit, për një periudhë 2-vjeçare.
Furnizimi i mallrave shqiptare, të destinuara për t’u vendosur në zonë, konsiderohet si furnizim për eksport me shkallë TVSh-je zero dhe i gjithë projekti përjashtohet nga taksa e ndikimit në infrastruture.
Ndërtimet e realizuara në këtë zonë përjashtohen nga taksa e pasurisë së paluajtshme për një periudhë pesëvjeçare, ndërsa qeveria do të subvencionojë edhe pagesën e sigurimeve të punonjësve.
Lehtësitë për kompanitë që do prodhojnë në zonë
Zhvilluesit ose kompanitë që do të zhvillojnë aktivitet ekonomik në zonë janë të përjashtuar nga taksa mbi kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme. Shpenzimet që ato bëjnë për paga dhe kontributet shoqërore e shëndetësore njihen 150 për qind të vlerës gjatë vitit të parë fiskal të ushtrimit të aktivitetit.
Në vitet në vijim, shpenzimet shtesë për pagat, në raport me vitin paraardhës, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura me 150 për qind të vlerës.
Kostot e trajnimit të punonjësve në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, për efekt të llogaritjes së fitimit të tatueshëm, njihen si shpenzime të njohura të periudhës tatimore me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike. Shpenzimet për kërkim shkencor dhe zhvillim njihen si shpenzime të njohura me dyfishin e vlerës, për një periudhë 10-vjeçare nga fillimi i veprimtarisë ekonomike.
Mallrat, që hyjnë nga zona e lirë në pjesën tjetër të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë dhe nuk janë tranzit për në një shtet tjetër hidhen në qarkullim, pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet e importit. Kur këto mallra janë përftuar nga përpunimi në zonën e lirë, me përbërës nga tregu i brendshëm, vlera e këtyre përbërësve zbritet nga vlera e produkteve të përftuara, për përllogaritjen e detyrimeve doganore.
Transferimi i një veprimtarie ekzistuese në territorin shqiptar në zonën e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, me qëllim kryesor përfitimin e lehtësive të parashikuara në këtë ligj, është i ndaluar.