Ditë me axhendë të ngjeshur për dy biznesmenët më të mëdhenj të vendit. Një ditë më parë, Shefqet Kastrati ka zhvilluar në ambientet e ish Sheraton një takim informal me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim. Nuk dihet nëse takimi ka qenë rastësor gjatë ceremonisë së festës së Pavarësisë, që u zhvillua pikërisht në ambientet e ish Sheraton, apo një takim kortezie në kuadër të atyre që zonja Kim ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit me personazhe të ndryshme në Shqipëri, në prag të largimit të saj.
Por Oligarkia.al ka mundur ta konfirmojë atë edhe përmes pamjeve. Kohët e fundit Shefqet Kastrati po e shtrin aktivitetin e tij sipërmarrës edhe në Shtetet e Bashkuara përmes disa investimeve në sektorin e pasurive të patundshme. A është kjo një arsye më tepër për takimin mes ambasadores dhe biznesmenit? As këtë nuk mund ta themi.
Por ndërsa pronari i Kastrati Group takohej në ambientet e ish Sheraton me ambasadoren amerikane Yuri Kim, Samir Mane kishte zgjedhur të dilte në prime time tek Blendi Fevziu. Si rrallë herë më parë emisioni Opinion, në ditën kryesore të javës, të enjten, nuk kishte si temë ngjarjen më të rëndësishme të aktualitetit politik, por kishte zgjedhur një format ndryshe. Rrëfimin e historive të suksesit mes shqiptarëve.
“Historia mbresëlënëse e njeriut më të pasur shqiptar” titullohej pjesa e parë e emisionit, në të cilën zoti Mane rrëfeu rrugëtimin e tij për ngritjen e perandorisë së biznesit. Dalja në Opinion ishte kulmimi i një fushate të gjerë imazhi, që ka nisur së fundmi biznesmeni me interesa në retail, sektorin financiar dhe ndërtim. Nga takimet me studentët në auditorët e universiteteve deri tek shfaqjet në shoë-t televiziv si Portokalli apo Opinion, Samir Mane duket se po përpiqet të përcjellë një imazh të ri në publik.
Në rrafshin financiar, “beteja” për podin e biznesmenit më të pasur në Shqipëri, të paktën në 5 vitet e fundit, është zhvilluar gjithmonë mes Shefqet Kastratit dhe Samir Manes. Për shkak se në Shqipëri, kompanitë dhe aksionet e tyre nuk janë të kuotuara në bursë, është praktikisht e pamundur të vlerësosh vlerën reale të tyre sipas tregut dhe rrjedhimisht pasurinë e aksionerëve.
Çdo përcaktim në këtë sens, qoftë dhe duke u nisur nga vlera e aseteve dhe kapitaleve neto në bilanc do të ishte i diskutueshëm. Por ndërsa lufta për trofeun e më të pasurit do të jetë mes këtyre dy njerëzve, me sa duket edhe për shumë kohë, një gjë është e sigurtë. Dy biznesmenët më të fuqishëm të vendit, ata që shumë njerëz i quajnë edhe si oligarkët më të mëdhenj të Shqipërisë, përveç garës së numrave tashmë kanë dhe një “betejë” tjetër. Atë të imazhit. Këtë të fundit jo me njëri tjetrin, por me publikun. Secili në stilin e vet. Ditë e ngjeshur për oligarkinë- mund të thoshte dikush.