Elona Caslli
Unë besoj se shfaqja e aferës seksuale të Safet Gjiçit nuk ishte aspak rastësi. Ishte krejt e menduar dita kur publiku do ta shihte këtë shfaqje. E gjithë shfaqja ka pasur një regjisor krejt të kthjellët dhe të ftohtë, i cili ka vendosur datën e premierës së shfaqjes së aferës seksuale në fjalë.
Skema është krejt e thjeshtë. Gjici duhet të ketë kaluar ndonjë vijë të kuqe në raport me pushtetin absolut dhe kalimi i kësaj vije ka bërë që të viheshin në funksion mekanizma të pushtetit absolut rilindas që Gjici të digjej përgjithmonë politikisht. Djegia në kësi rastesh përfshin një aferë seksuale që është e plotë dhe vështirësisht e mohueshme.
Perdja hapet dhe shfaqja fillon. Regjisori sheh krejt i qetë krijesën e tij artistike. Publiku e ripërtyp mesazhin që ka dashur të japë regjisori dhe skenaristi dhe në fund drejtësia triumfon se Gjiçi dënohet për korrupsion pasiv. Mbi të rëndon akuza se ka kërkuar favore seksuale në këmbim të një tenderi.
Pra, i gjithë aktiviteti i Gjicit në Bashkinë e Kukësit( që konkretizohet në miliona euro të përfituara përmes tenderave), reduktohet në akuzën për korrupsion pasiv. Kjo akuzë kundërshtohet nga avokati i Gjicit i cili pretendon se akuza nuk është e saktë, pasi tenderi i qenve nuk iu dha Almës dhe unë nuk do të habitesha aspak nëse akuza për Gjicin do të tkurrej deri te ” Shpërdorimi i Detyrës”.
Gjici, që duhej të akuzohej për aferën e tenderave, akuzohet për aferë seksuale dhe siç është kodi në raste të tilla; Partia të dënon, por pasurinë nuk ta prek. A mund të thuhet në këtë rast se afera seksuale u përdor si amnisti për aferën korruptive të tenderave?! Unë besoj se po.
Personalisht besoj se prodhimi i shfaqjeve të tilla përbën veçse një luftë brenda llojit, por kurrsesi një akt drejtësie. Shfaqje të tilla nënkuptojnë se aktori në rolin kryesor ka guxuar të tejkalojë statusin e skllavit të bindur të pushtetit dhe për këtë arsye përjashtohet nga bashkësia e horrave politikë me pacënueshmërinë e milionave të eurove.
Pra, në fund të procesit kemi Safet Gjicin të damkosur moralisht, por të pacënuar në milionat e eurove.
Post Scriptum- Drejtësia me dy standarde është padrejtësi më vete dhe sa herë të shihni një aferë seksuale mendoni se nën të fshihen disa miliona euro të taksapaguesve shqiptarë.