Në dy vitet e fundit të ardhurat nga tatim fitimi i bizneseve janë dyfishuar në vlerë. Sipas ministrisë së Financave, në pesë muajt e parë të vitit qeveria mblodhi 30 miliardë lekë nga tatimi mbi fitimin, kur në pesëmujorin e parë të vitit 2021 shifra ishte vetëm 15 miliardë lekë.
Një pjesë e rritjes në të ardhurat e taksimit korporativ buron nga taksa e jashtëzakonshme që qeveria vendosi mbi prodhuesit e energjisë. E megjithatë edhe nëse e zhvesh nga ky efekt, rritja është sërish e ndjeshme.
Në vija të trasha, dyfishimi i të ardhurave që qeveria ka mbledhur nga tatim fitimi tregon se bizneset kanë fituar dy herë më shumë, për sa kohë regjimi tatimor nuk ka patur ndryshim. Ky fakt, ngre një pyetje esenciale. A u ndëshkuan qytetarët shqiptarë nga grykësia korporative?
Duke gjurmuar shenjat
Tendenca e rritjes së marzheve të biznesit mund të shihet qartë në tregje të caktuara. Njëri prej tyre është ai i ushqimeve. Kur nisi lufta në Ukrainë, bizneset rritën më shpejtësi çmimet për shkak të pasigurisë së krijuar në tregje, por edhe rritjes së kostove. Çmimi i bukës masive në Shqipëri u rrit me gati 25 për qind në mars të vitit të kaluar.
Sipas Bankës Botërore, nga ajo periudhë çmimi i miellit në tregjet globale ka rënë me 24.3 për qind. Por çmimi i bukës ka mbetur i pandryshuar.
Çmimi i vajit është një tjetër rast tipik, që sugjeron rritjen e fitimeve të bizneseve. Krahasuar me një vit më parë çmimi i vajit vegjetal në tregjet botërore është ulur me 44.3 për qind, sipas monitorit të përmuajshëm të çmimeve që gjurmon Banka Botërore. Por në tregun shqiptar çmimi i vajit nuk është ulur më pas rritjes së çmendur që shënoi vitin e kaluar.
Ka dhe një tregues tjetër që sinalizon se marzhet e korporatave janë rritur. Ky është kursi i këmbimit. Tregu kryesor nga ku importon Shqipëria është Bashkimi Europian. Krahasuar me një vit më parë monedha që përdorin vendet e BE është zhvlerësuar me mbi 10 për qind ndaj lekut. Ky zhvlerësim kaq i fortë do të duhet të bënte presion për uljen e inflacionit në tregun e brendshëm.
2 me 1
Ka dy faktorë që veprojnë në krahun e uljes së çmimeve. Rënia e tyre në tregjet ndërkombëtare dhe kursi i këmbimit. Në krahun tjetër, atë të rritjes vepron vetëm një faktor. Rritja e rrogave.
Ndërsa çmimet rriten të punësuarit kërkojnë paga më të larta për të përballuar shtrenjtimin e kostos së jetesës. Mekanizmi njihet ndryshe si spiralja inflacioniste. Sipas INSTAT, vitin e kaluar paga mesatare në sektorin privat u rrit me 14.7 për qind.
Kjo do të thotë se një pjesë e rritjes së çmimeve ka ardhur nga rritja e kostos së punës. Por ç’pjesë e inflacionit shkoi për të kompesuar rritjen e kostove të punës dhe ç’pjesë u mbajt si fitim ekstra nga bizneset. Këtë analizë do duhet ta bëntë Banka e Shqipërisë. Por për tregjet rreth Shqipërisë ekziston një përgjigje.
Tendencë europiane
Dy ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi një paper mbi zhvillimet e inflacionit në Europë. Sipas studimit, gjysma e rritjes së çmimeve me pakicë për konsumatorët europianë është shkaktuar nga rritja e fitimeve të korporatave. Nga ana tjetër rritja e pagave shkaktoi vetëm 25 për qind të inflacionit.
Kur kjo ndodh në tregje të lira, me konkurrencë të plotë si ato të Eurozonës, risqet që të ndodhë në vendet si Shqipëria, ku tregjet janë të ngurta, janë disa herë më të mëdha.
Ne nuk e dimë saktësisht se sa për qind e rritjes së çmimeve në treg ka ardhur nga rritja e fitimit të bizneseve. Por dimë me siguri se impakti i grykësisë korporative në inflacion nuk ka qenë i vogël.