Shefja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde deklaroi se rritja masive e çmimeve gjatë vitit të kaluar u shkaktua kryesisht nga fitimet e korporatave.
“Fitimet e korporatave ishin faktori më i madh që rriti inflacionin vitin e kaluar dhe do të jetë sërish gjatë këtij viti nëse bizneset nuk detyrohen të absorbojnë faturën e rritjes së pagave, pa rritur më tej çmimet e produkteve të tyre,” deklaroi Lagarde.
Duke sqaruar se si BQE planifikon të luftojë me inflacionin në Eurozonë, shefja e BQE u shpreh e shqetësuar se firmat mund të “testojnë” sërish oreksin e konsumatorëve për të paguar çmime më të larta, pavarësisht nga një rënie e madhe në shumicën e kostove të biznesit në muajt e fundit.
Në fjalimin e mbajtur në një konferencë të Bankës Qendrore në Portugali, presidentja e BQE tha se punëtorët pritej të rikuperonin vlerën e pagave të tyre para pandemisë gjatë dy viteve të ardhshme, por nëse kompanitë ia kalonin këto rritje konsumatorëve përmes çmimeve më të larta, inflacioni do të vazhdonte të mbetej i lartë, dukshëm mbi objektivin prej 2% të BQE-së.
Gita Gopinath, e cila ishte deri vitin e kaluar ekonomistja kryesore e FMN-së, tha në fjalimin e saj se BQE dhe bankat e tjera qendrore “duhet të jenë të përgatitura të reagojnë me forcë” ndaj shenjave të inflacionit të vazhdueshëm, pavarësisht shqetësimeve se kostot më të larta të huamarrjes mund të rrisin papunësinë dhe të shkaktojnë recesion ekonomik në shumë vende.
Në një studim për inflacionin në të gjithë vendet evropiane, studiuesit e FMN-së gjetën se fitimet e korporatave kishin luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e inflacionit në të gjithë Evropën, duke mbështetur shqetësimet e Lagarde.
Duke cituar studimin e Isabella Ëeber në Universitetin e Masaçusets, FMN tha: “Rritja e fitimeve të korporatave përbën pothuajse gjysmën e rritjes së inflacionit të Evropës gjatë dy viteve të fundit, pasi kompanitë rritën çmimet më shumë se sa rritën kostot e energjisë së importuar.
“Tani që punëtorët po bëjnë presion për rritje pagash për të rikuperuar fuqinë blerëse të humbur, kompanive mund të duhet të pranojnë një pjesë më të vogël fitimi nëse inflacioni do të mbetet në rrugën e duhur për të arritur objektivin prej 2% të Bankës Qendrore Evropiane në 2025.
Çmimet vjetore të konsumit në eurozonë u rritën 6.1% në maj, nga 7% në prill, ndërsa norma e inflacionit në Mbretërinë e Bashkuar në maj mbeti e qëndrueshme në 8.7%.
Tjetër rritje normash
Zonja Lagarde tha se Banka Qendrore Europiane nuk do të qëndrojë duarkryq përballë kësaj situate duke paralajmëruar një tjetër rritje të normave muajin e ardhshëm.
“Politika monetare aktualisht ka vetëm një objektiv: kthimin e inflacionit në objektivin tonë afatmesëm prej 2 për qind në kohën e duhur. Dhe ne jemi të përkushtuar që ta arrijmë këtë qëllim pa marrë parasysh çfarë,” deklaroi ajo.
Sipas shefes së BQE, rritja e paprecedentë e interesave që është ndërmarrë deri më tani nuk është materializuar ende e plotë në tregjet financiare.
“Ne nuk e kemi parë ende ndikimin e plotë të rritjes kumulative të normës për të cilën kemi rënë dakord që nga korriku i kaluar, duke arritur në 400 pikë bazë. Por puna jonë nuk ka mbaruar. Duke përjashtuar një ndryshim material në perspektivë, ne do të vazhdojmë të rrisim normat në korrik,” shtoi ajo.