28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Qeveria armatos policinë gjer në dhembë, tender 15 mln euro për armë dhe gaz

Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara do të zhvillojë në gusht një nga tenderat më të mëdhenj në histori për blerjen e armatimit dhe pajisjeve luftarake për Policinë e Shtetit.

Sipas njoftimit në regjistrin e parashikimeve për prokurimet, tenderi është parashikuar të zhvillohet në gusht dhe do të ketë një vlerë 1.63 miliardë lekë ose 15.2 milionë euro. Ky është një tender i kufizuar në fushën e sigurisë. Dokumentat e tenderit u vihen në dispozicion vetëm operatorëve ekonomikë të interesuar me anë të paraqitjes së një kërkese me shkrim pranë ASHPP.

Ky është tenderi më i lartë që qeveria ka bërë ndonjëherë për të armatosur policinë e shtetit. Një burim nga ministria e Brendshme i tha Oligarkia.al se tenderi është në kuadër të modernizimit të armatimit dhe pajisjeve luftarake që përdor policia e shtetit. Por një pjesë e kontratës parashikon edhe blerjen e gazit luftarak, që policia përdor gjatë protestave.

Tenderat për blerjen e armëve të ushtrisë dhe policisë së shtetit, shpesh kanë qenë objekt dyshimesh të forta për korrupsion. Jo vetëm nga fakti që zhvillohen përmes procedurave sekrete apo garave të kufizuar, por edhe për faktin që këto tendera përfundojnë gjithmonë në një grusht 2-3 kompani, të akuzuara për lidhje të forta me qeverinë dhe maxhorancën.

Vitin e kaluar, Policia e Shtetit zhvilloi një tender me vlerë 700 mijë euro për blerje pistoletash dhe automatikësh. Por këtë herë objekti i prokurimit është shumë më i gjerë dhe sasia e armatimit dhe pajisjeve luftarake që do të blihen, shumë më e madhe.

A është ky tender i nxitur vetëm nga nevoja për të modernizuar armatimin e policisë së shtetit, apo qeveria po përgatitet edhe për protestat e mundshme në të ardhmen, që të ketë sasi të mjaftueshëm gazi në dispozicion? Në të kaluarën policia është akuzuar për përdorim disproporcional dhe pa kriter të gazit gjatë protestave të opozitës, duke dëmtuar jo vetëm protestuesit, por edhe qytetarët në banesat e tyre.  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *