28 Nëntor, 2024
Tirana, Albania
Kryesore Lajme nga vendi

Supertenderi 17.2 mln euro i AKSHI-t ndahet mes 4 kompanive

Tenderi 17,2 milionë euro i AKSHI-t për shërbimin e internetit dhe intranetit për institucionet shtetërore është ndarë mes 4 kompanive. Sipas shpalljes në agjencinë e Prokurimeve Publike ato janë bashkimi i operatorëve me Albanian Telecommucations Union dhe Digicom, bashkimi mes ASC dhe Abissnet, Vodafone dhe One.

Supertenderi i AKSHI-it u zhvillua sipas procedurës së marrëveshjes kuadër. Në garë u paraqitën 5 oferta. Akshi vendosi të shpallë fituese 4 prej tyre dhe të skualifikojë bashkimin mes kompanive Tibo , APT Cable dhe MC Networking për mospërmbushje të kritereve.

Nga kompanitë që u shpallën fituese, ofertën më të mirë e ka paraqitur bashkimi i kompanive Albanian Telecommucations Union dhe Digicom me çmim 42 lekë për njësi. Ndërsa 3 ofertat e tjera kanë qenë të gjitha me çmimin 58 lekë për njësi.

Tenderi

Në fillim të vitit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e hapi tenderin për sigurimin e shërbimit të internetit dhe intranetit për shtetit me vlerë limit 5.5 milion euro. Atëherë parashikohej që fituesi i tenderit të lidhte Kadastrën, Tatimet dhe ISSH-në me rrjetin e brendshëm qeveritar të intranetit, duke shtruar infrastrukturën përkatëse si dhe të siguronte shërbim internet me afat 24 muaj për këto institucione. Më pas tenderi u anulua nga AKSHI, që e përligji anulimin duke thënë se dokumentat e tenderit përmbanin gabime dhe mangësi të rëndësishme.

Vetëm një muaj më vonë tenderi u rihap, por këtë herë me vlerën limit 17.2 milionë euro. Rritja e vlerës më disa fish u justifikua përmes shtimit të institucioneve që do të përfitonin shërbimin e internetit. Megjithatë ky tender shkaktoi dhe reagime politike, pasi opozita e cilësoi si një aferë korruptive që do të shkonte për të fryrë xhepat e klientëve të zakonshëm të AKSHI-t

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *